Kosovë: Shpërthim i madh në KEK, raportohet për dy të vdekur

2015-08-22 12

Shpërthimi tragjik në Termocentralin Kosova A në Obiliq i ka marrë jetën 2 personave ndërkohë që 14 punonjës të impiantit kanë mbetur të plagosur. Deri në orët e vona të pasdites, autoritetet dhe mediat raportonin për 3 viktima, por njëri prej punonjësve që mbetën nën rrënojat e shpërthimit, u gjet i gjallë. Ende kërkohet për personin e tretë. Tragjedia erdhi si pasojë e shpërthimit të 4 bombolave të hidrogjenit, në repartin e elektrolizës.

"Ka pëlcitur hidrogjeni. Punëtorët ishin duke punuar më hidrogjen, ata e prodhojnë hidrogjenin vetë, ndërsa ne e furnizojmë më dyoksid karboni, pra uljen e temperaturës së hidrogjenit. Në momentin që i kemi dërguar bocat dhe në momentin që jemi futur brenda, ka pëlcitur diçka, 100% se është hidrogjeni", deklaroi një punëtor i KEK-ut.

"Diku pas orës 10 të mëngjesit, nuk më kujtohet saktë, kanë filluar të bijë llambat dhe ndriçimi, ne menduam se është ndonjë tërmet, duke e paramenduar at si 10 shkallë. Kur kemi dal në korridor ka filluar të rrëzohet plafoni, kabllot, klimat, tullat dhe gjithçka tjetër. U kriua një imazh, sikur në rrëzimin e Kullave Binjake",u shpreh një tjetër punëtor i KEK-ut.

Shpërthimi ka qenë tepër i fuqishëm, madje ka shkaktuar dëme edhe në shtëpitë dhe oborret e banorëve, për shkak të fluturimit në ajër të copave të mëdha metalike.
Mediat kosovare kishin dhënë alarmin edhe për shpërthime të tjera të mundshme, por ministri i Zhvillimit Ekonomik Fadil Ismaili, qetësoi popullatën duke thënë se rreziqet për shpërthime të mëtejshme, janë eliminuar plotësisht. Nuk ka nevojë për evakuime, theksuan autoritetet. Njësinë speciale të Policisë së Kosovës, informuan se dy rezervuarët që dyshohej se janë të pashpërthyer, tashmë janë boshatisur. Nga 14 të plagosurit, 12 prej tyre janë lëshuar për kurim shtëpiak, ndërsa dy të tjerët në kurim janë jashtë rrezikut gjithashtu. Termocentrali A ishte planifikuar të mbyllej në 2017, në përpjekje për të ripërtërirë sistemin e vjetëruar energjetik. Pas tragjedisë, autoritetet u solidarizuan dhe dolën menjëherë në vendin e ngjarjes, duke pezulluan fushatën e tyre parazgjedhore. Lideri i LDK-së Isa Mustafa hodhi edhe idenë e shtyrjes së datës së zgjedhjeve parlamentare, por kryeministri Thaçi ka theksuar se një vendim i tillë i takon të merret vetëm nga presidentja Jahjaga. Adrian Kerimi