Kukës, dëmtohet linja e ujësjellësit. Përgjysmohet sasia e furnizimit me ujë

2015-08-22 3

Kukës- Një nga linjat kryesore që furnizon me ujë të pijshëm qytetin e Kukësit, që nis që në burimin kryesor të ujit në Kolesian, është çarë duke ndikuar në përgjysmimin e sasisë së ujit që mbërrin tek konsumatori.
E gjithë sasia e ujit, që destinohet për lagjet e qytetit, ka dalë në sipërfaqen e tokës duke përmbytur jo vetëm të mbjellat e banorëve, por edhe rrugët e lagjes Gjalicë, të fshatit Shtiqën. Sipas ekspertëve të ndërmarjes së Ujësjellës Kanalizimeve në Kukës, çarja e tubacioneve tashmë është bërë një fenomen i zakonshëm pasi tubat nuk e përballojnë dot presionin e madh të ujit.
Ata shtojnë se kanë njoftuar për të disatën herë, edhe kompaninë që e ka ndërtuar rrjetin, mirëpo nuk kanë gjetur gjuhën e mirëkuptimit për të riparuar linjat e ndërtuara.
"Eshtë hera e katërt që ndodh ky lloj difekti i linjës së re. Ka plasur edhe linja që vjen nga burimi, e kemi filmuar para një muaj. Nuk funizohemi me ujë të pishëm, pasinuk shkon uji", tha Sead Gjuta, specialist i NUK-ut në Kukës.
Rrjeti shpërndarës i ujit të pijshëm, në qytetin e Kukësit, po përballet prej kohësh me një sërë problemesh të cilat po ndikojnë në mënyrë të drejtpërdrejtë tek furnizimi me ujë i konsumatorëve.
Specialistët e Ndërmarjes së Ujësjellës Kanalizimeve thonë se kjo situatë vjen si rezultat i punimeve mjaft të dobëta që ka kryer kompania që ka ndërtuar rrjetin e ri të ujësjellësit, ku tubat e vendosur, janë shumë të vegjël nuk përballojnë dot presionin që krijohet nga sasia e madhe e ujit që kalon në to.
Ujësjellësi i ri i qytetit të Kukësit nisi të ndërtohej në vitin 2009 dhe për të u dhanë 3.5 milionë euro.
Për më shumë klikoni në http://www.oranews.tv/