Përbërja e qeverisë së re vazhdon të mbetet enigmë

2015-08-22 1

8 qershori është afati i fundit kur mandatari Nikolla Gruevski duhet të paraqesë para kuvendit, programin dhe përbërjen e re qeveritare. Sipas informatave jozyrtare mësohet se Gruevski do ta shfrytëzoj maksimalisht kohën në dispozicion. Ndërkohë brenda këtyre ditëve të mbetura, ai ka intensifikuar bisedimet me partnerët e koalicionit "Për një Maqedoni më të mirë", me të cilët fitoi edhe 61 deputetët. Edhe nga BDI-ja shprehen se janë në përfundim e sipër të negociatave me partnerin e koalicionit qeveritar. Nga partia e Ahmetit ndonëse kohë më parë u shprehën se emrat dhe postet do të publikohen pas Kongresit të partisë, as sot nuk u dhanë detaje rreth tyre. Alsat mëson se marrëveshja për formimin e qeverisë është arritur tashmë, dhe ndryshimet pritet të jenë minimale. BDI-ja do të heqë dorë nga Ministria e Mbrojtjes dhe do të marrë Ministrinë për Punë dhe Politikë Sociale ose Ministrinë e Arsimit. Pas dorëzimit në Kuvend, kreu i këtij institucioni ka në dispozicion 15 ditë për të caktuar seancën në të cilën do të miratohet programi dhe përbërja e re që do të udhëheq vendin në katër vitet e ardhshme. Bedri Rexhallari