Më shumë vepra më pak fjalë kështu analistët komentojnë deklaratën e djeshme të liderit të BDI-së Ali Ahmet i cili i cilësoi si fashiste struktura të caktuar në gjyqësi duke i referuar prokurores Geshkovska e cila në fjalët e saj përfundimtare për rastin "Monstra" në mënyrë të drejtpërdrejtë nxiti urrejtje ndëretnike dhe fetare
"Mendoj se kjo është pjell e durimit tonë i cili nuk duket shumë selektiv dhe ne kemi shumë mekanizma të cilat si duket shumë pak i shfrytëzojmë që t'i eliminojmë të gjitha këto dukuri por për këtë çështje duhet vullnet politik dhe duhet përgjegjësi qoftë ndaj vetvetes qoftë ndaj popullit apo moralit. Fakti është se përgjegjësia bie edhe mbi strukturën politike shqiptare, çdo synim që të lahet vetëm me fjali boshe unë mendoj se nuk është e arsyeshme dhe e logjikshme dhe unë besoj se pjesa shqiptare do të duhet seriozisht të merret me këtë çështje pasi një presedan i këtillë do të vazhdoj edhe në të ardhshmen të reflektohet në shumë segmente", deklaroi Mersel Bilalli, analist politik.
Lideri i BDI Ahmeti për herë të parë duke aluduar në procesin gjyqësor " Monstra" pranoi se në Maqedoni ende ka drejtësi selektive.
"Pavarësisht që ne jemi në pushtet, akoma padrejtësi ka, sepse nuk kontrollohet çdo virus dhe çdo gjyqtar e prokurorë me ngarkesa, të mos them edhe fashiste, sepse po shihen dukshëm edhe pse nuk janë të shumtë, por ama të rrezikshëm. Dhe ne duhet të punojmë që elementë të tillë në këtë vend, të mos ketë", u shpreh Ali Ahmeti, kryetar I BDI-së.
Por jo vetëm prokurorja Geshkovska e para që i dha kahje të gabuar tërë këtij rasti ishte edhe vetë ministrja e punëve të brendshme Gordana Jankullovska më 1 maj 2012 kur i shpalli vrasës ata që arrestoi policia pa e thënë fjalën e vetë gjyqësia.
"MPB-ja ka arrestuar autorët e vrasjes makabre tek liqeni i Smillkovcës. Bëhet fjalë për një grup personash nga Shkupi. Ata janë mbështetës radikalistë islamik, të rrezikshëm edhe për të krishterët por edhe për myslimanët. Kundër përfaqësuesve të grupit do të ngrihen padi penale për veprën penale të terrorizmit", deklaroi kohë më parë Gordana Jankullovska, ministre e brendshme.
Vendimi përfundimtar për rastin " Montsra" pritet të merret nga ana e gjykatës më 18 qershor. Ky proces gjyqësor zgjat më shumë se dy vite ndërsa janë realizuar mbi 40 seanca. Gjyltene Rexhallari