JAPONI - Kompania SoftBank ka prezantuar një lloj roboti i cili u shërben klientëve në dyqanin e telefonave celularë në Japoni. Kjo kompani planifikon të shesë robotë të ngjashëm me njerëzit që do të quhen Pepper dhe do të jenë një ndihmë e madhe për forcën punëtore në shërbimet sociale. Këta robotë sipas projektuesve dhe prodhuesve të tyre do të shërbejnë si kujdestarë fëmijësh, infermierë, ndihmës të emergjencave mjeksore apo dhe si shoqërues. Pritet të nxirren në treg shkurtin e vitit që vjen dhe do të kushtojnë 1,900 dollarë.
Drejtuesi i projektit Kanane Hayashi i cili ka harxhuar plot dy vite në këtë projekt top-sekret shprehet se ky robot do të jetë gjenerata më e veçantë e këtij lloji dhe shpjegon detaje të mënyrës së ndërtimit dhe funksionimit të tij. "Nëpërmjet zhvillimit të teknologjisë dhe rritjes së potencialit të CPU (njësisë qëndrore të përpunimit) në kemi arritur të stimulojmë qendrën e emocioneve dhe ndjenjave dhe këta robotë do të jenë të aftë të mësojnë dhe shprehin ndjenja" ka përfunduar Hayashi.
Në një prej dyqaneve të Tokios ku dhe u prezantua për herë të parë klientët mbetën të mrekulluar. Një 30 vjeçar i cili i sheh ata më tepër si kafshë të këndshme tha se robotët mund të jenë argëtues dhe mund të ndihmojnë këdo, por nëse bëhen më të avancuar do të jenë disi të "frikshëm" është shprehur ai.
Roboti është i pajisur me 25 sensorë për të qenë të sigurtë se nuk do të ketë përplasje apo goditje me ndokënd.
Kompania siguron se Pepper mund të shërbejë për 12 orë para se të ketë nevojë të ngarkojë bateritë.
Këta robotë janë projektuar nga kompania franceze e robotëve Aldebaran ku SoftBank ka blerë aksione që në 2012 dhe do të prodhohen nga nje industri teknologjike në Taiwan. Momentalisht ky treg ka patur rritje të madhe interesi ndër prodhuesit japonez të teknologjive të fundit duke u prirur drejt një revolucioni robotik.