FUSHE-KRUJE- Një minë antitank e telekomanduar është gjetur në orët e para të mëngjesit të sotëm në derën e një magazine për riparimin e biçikletave në Fushë-Krujë.
Mina telekomanduar, fotot e së cilës ka siguruar "A1 Report" ishte vendosur poshtë qepenit të magazinën në pronësi të shtetasit Bashkim Metashi.
Ky i fundit kur është paraqitur pranë ambienteve të punës është përballur me surprizën e pakëndshme, teksa ka njoftuar menjëherë uniformat blu.
Forca të shumta policie kanë rrethuar zonën, ndërsa forcat xheniere të mbërritura nga Tirana kanë marrë nën kontroll situatën.
Punonjësit e forcave xheniere kanë shkaktuar shpërthimin e komanduar të minës, duke neutralizuar fuqinë e saj.
Ngjarja ka tërhequr vëmendjen e qytetarëve të shumtë të Fushë-Krujës, për të cilët shpërthimet e telekomanduara prej kohësh janë kthyer në një makth.