Gjirokastër - Zyra Ndërkombëtare Invest Macedonia -- Shqipëri & Kosovë në vazhdën e tureve të veçanta promovuese ka organizuar një biznes-tur të veçantë me përfaqësues nga mediat kryesore maqedonase.
Ky biznes-tur është përqendruar në katër qytete të Shqipërisë që njihen për origjinalitetin dhe vlerat unike dhe ka për qëllim njohjen nga afër të përvojave sipërmarrëse të këtyre zonave.
Pas Beratit, Skraparit e Përmetit pjesëmarrësit e turit janë ndalur në Gjirokastër, ku kanë zhvilluar një takim me nënkryetarin e Bashkise së qytetit dhe me përfaqësues të Dhomës së Tregëtisë dhe artizanatit gjirokastrit.
Sipas nënkryetarit të Bashkisë, Odise Kote, ky është një bashkëpunim pozitiv në rradhë të parë për zhvillimin e turizmit në Gjirokastër dhe përthithjen e sa më shumë turistëve dhe investitorëve maqedonas e kosovarë.
Drejtuesi i Zyrës Ndërkombëtare Invest Macedonia -- Shqipëri & Kosovë, Fatos Mustafa thotë se ky tur krijon njohjen e mundësive të bashkëpunimit mes Maqedonisë e Shqipërisë në një kënvështrim mediatik.
Ai thotë se përmes medias eksplorohen mundësitë për bashkëpunim në turizëm, përgatitjen e paketave turistike rajonale, por edhe rritjen e bashkëpunimit tregtar dhe investimet mes dy vendeve.
Turi ka vazhduar vizitën në qendrën muzeale dhe kalanë e Argjiros, ndërsa kanë patur mundësinë e shijimit të gatimeve tradicionale gjirokastrite.
Gjatë këtij udhëtimi Gjirokastra do të jetë pjesë e një dokumentari, i cili dotë shfaqet në disa televizione maqedonase e kosovare me qëllim promovimin e vlerave më të mira arkeologjike, kulturore e shpirtërore.
Ky tur-biznesi vjen si një përvojë e parë bashkëpunimi me Agjencinë Kombëtare të Turizmit, Bashkitë e katër qyteteve dhe operatorë të ndryshëm turistikë.
Për më shumë klikoni në http://www.oranews.tv/