Pala mbrojtëse e të akuzuarve në rastin 'Monstra", në fjalën e saj përfundimtare rrëzoi si të pabaza dhe të pamjaftueshme argumentet e Prokurorisë Publike, të paraqitura të enjten e kaluar. Sipas avokatëve mbrojtës, nuk ka fakte dhe dëshmi që të çojnë në shpalljen fajtorë të të akuzuarve. Naser Raufi përsëriti qëndrimin se procesi 'Monstra' është dhe vazhdon të jetë një rast i montuar klasik.
"Edhe njëherë e kontra-argumentuam praktikisht aktakuzën e prokurorisë. Unë në fjalën time përfunduese u ndala në dëshmitarin e koduar, pasi mendoj që në mungesë të provave që i kishte prokuroria atëherë u bazua në dëshminë e këtij dëshmitari...prokuroria ka pas problem pasi që s'ka pas prova dhe ka qenë e detyruara ta gjejë këtë dëshmitarë edhe ashtu praktikisht filloi edhe të montohet ky proces. Jam i bindur që ky është një montim klasik. Në këtë raste edhe deri më sot është shkelur prezumcioni i pafajësisë dhe kjo punë vazhdon edhe tutje", deklaroi Naser Raufi, avokat.
Edhe avokatët e tjerë thonë se provat nuk janë të mjaftueshme. Ata thonë madje se tablatet e telefonatave dhe vendndodhjes së të akuzuarve vërtetojnë se ata nuk kanë qenë në vendin e krimit. Ata thonë se provat e paraqitura nga prokuroria, nuk kanë vlerë që të inkriminonin të akuzuarit.
"Unë jam fiksuar në ditën 12 prill 2012 kur edhe ka ndodhur vrasja, me ç'rast kemi alibi të palëkundur për lëvizjen e të akuzuarit Rami Sejdi dhe kontaktet në telefon, me personin Isni Asani dhe Marjan Filipov si dhe dinamikën e telefonatave... Kemi alibi absolute, se ku ka lëvizur dhe ku ka qenë në kohën e kryerjes së veprës penale", u shpreh Mitko Sollakov, avokat.
"Argument thelbësor i mbrojtjes sime ishte se argumentet e ofruara nuk ofrojnë fakte se të akuzuarit janë kryerës të veprës penale. Ajo që është ofruar si dëshmi në fakt janë indikacione të cilat nuk kanë kualitet, nuk kanë vlerë dhe përmes tyre nuk mund të vërtetohet se të akuzuarit e kanë kryer këtë vepër penale", tha Gjorgji Nastevski, avokat.
Pas dhjetë ditësh, do të jetë Gjykata ajo që do të thotë fjalën përfundimtare. Fjala e prokurorisë, një javë më parë, nxiti reagime të shumta në opinion, jo vetëm tek familjarët por edhe tek njohësit e çështjeve juridike. Prokurorja Geshkovska e lidhi çështjen me prapavijë etnike dhe fetare, duke thënë se të akuzuarit zgjodhën ditën e enjte të pashkëve, si dhe të rinjtë maqedonas për të vrarë të ardhmen e kombit. Bedri Rexhallari