TIRANE- Ish-ministri i Mbrojtjes, Arben Imami, dhe ish-drejtori i Policisë së Shtetit, Hysni Burgaj, kanë dëshmuar në Prokurorinë e Tiranës lidhur me kallëzimet penale të bëra ndaj tyre për abuzimet me fondet e reklamave. Pyetja e Imamit dhe Burgajt bëhet në një kohë kur Prokuroria ka sekuestruar pjesën më të madhe të dokumentacionit dhe ka marrë dëshminë e të gjithë anëtarëve të komisioneve të tenderimit.
Bëhet fjale për abuzime në procedura e dy tenderime me një shumë totale rreth 4 milionë dollarë, të dyja në favor të kompanisë "Promo" në pronësi të vëllait të Aleksandër Frangaj, botuesi i televizionit "Klan", që pastaj ka përfituar edhe si media e përzgjedhur për të transmetuar pjesën më të madhe të spoteve.
Të dy tenderët janë realizuar gjatë kohës së qeverisë Berisha.
Padia kundër Arben Imamit është paraqitur nga auditi i Ministrisë së Mbrojtjes aktuale, ndërsa padia kundër Burgajt dhe 9 zyrtarëve të tjerë të këtij dikasteri është bërë nga auditi i Ministrisë së Brendshme.
HETIMI PER SPOTET PUBLICITARE PER VIZAT DHE NATO
Ish-ministri i Mbrojtjes, Arben Imami dhe ish-drejtori i Policisë së Shtetit, Hysni Burgaj kanë dëshmuar në prokurorinë e Tiranës, lidhur me kallëzimet penale të bëra ndaj tyre për abuzimet me fondet e reklamave. Pyetja e dy zyrtarëve të lartë është bërë një javë më parë në ambientet e prokurorisë së Tiranës, konfirmojnë burimet pranë kësaj prokurorie.
Pyetja e deputetit të PD Imami dhe drejtorit aktual të Akademisë së Rendit, Hysni Burgaj është bërë në cilësinë e personave që kanë dijeni për ngjarjen. Nuk dihet me saktësi se çfarë kanë deklaruar para prokurorëve dy zyrtarët, por burimet pohuan se që të dy kanë mbajtur qëndrim mohues në lidhje me shkeljen e procedurave për tenderimin e lekëve për spotet publicitare. Pyetja e Imamit dhe Burgajt, bëhet në një kohë kur prokuroria ka sekuestruar pjesën më të madhe të dokumentacionit dhe ka marrë dëshminë e të gjithë anëtarëve të komisioneve të tenderimit.
KALLEZIMI I KODHELIT
Kallëzimi i ministres së Mbrojtjes Mimi Kodheli ndaj Arben Imamit lidhet me shumat financiare që janë shpenzuar për spotet publicitare në televizione për Forcat e Armatosura të Shqipërisë. Bëhet fjalë për një shumë 1.2 milion euro që është shpenzuar në këtë drejtim, duke përdorur argumentit e futjes së ushtrisë shqiptare në aleancën e madhe të NATO-s. Të gjitha spotet janë kryer duke pasqyruar arritjen e ushtrisë shqiptare, përfshirë këtu dhe futjen e saj në NATO. Duke përdorur emrin e kësaj organizate politiko-ushtarake, zyrtarët të ministrisë së Mbrojtjes kanë abuzuar me fondet e spoteve televizive, ku në shumicën e rasteve, këto spote u janë dhënë për transmetim televizoneve qeveritare. Spoti është përgatitur nga kompania "Promo" në pronësi të vëllait të Aleksandër Frangaj dhe më pas është transmetuar në tre televizione, mes tyre dhe "Klan".