Tiranë- Ministri i Punëve të Brendshme Saimir Tahiri zhvilloi një bashkëbisedim me nxënës të shkollës së mesme "Petro Nini" në Tiranë. Tematikë e bisedës ishte problematika që shqetëson brezin e të rinjve. Ministri tha se një shoqëri e sigurtë ngrihet vetëm mbi bazën e komunikimit dhe bashkëpunimit të ngushtë të Policisë me komunitetin.
"Nuk mjafton të lësh një punonjës policie te dera për të luftuar ata që shpërndajnë drogë. As mjafton që të organizosh shërbimet e Policisë Kriminale me informacione, në rast se ju vetë nuk bëheni të parët që parandaloni, ose ndërtoni instrumenta të sigurisë tuaj, për t'i dalë përpara këtij fenomeni që në mos sot, nesër do të na ndikojë të gjithëve", tha ministri Tahiri.
Gjithashtu gjatë aktivitetit, u prezantua një video klip, ku mesazhi është përcjellë nëpërmjet muzikës. Personazhe të njohur të shoqërisë nga fusha dhe mosha të ndryshme, si dhe punonjëse policie, kanë synuar të thyejnë tabunë që punonjësi i policisë shikohet si një person që vetëm ndëshkon dhe detyron; në të vërtete ai nuk është aspak ndryshe nga të gjithë të tjerët.
Në kuadër të Policimit në Komunitet, filozofi kjo e përqafuar nga Policia e Shtetit në ligjin e saj por edhe në Strategjinë e saj, Forumi i Gruas ka realizuar projektin "Së Bashku", i cili është mbështetur dhe financuar nga ADC (Austrian Development Cooperation) nëpërmjet Zyrës Koordinuese për Bashkëpunimin Teknik, në Ambasadën Austriake në Tiranë.
Projekti "Së bashku" ka si qëllim parësor ndërgjegjësimin e komunitetit, duke dashur të zgjoj tek ata ndjenjën e përgjegjësisë dhe të reagimit qytetar ndaj krimit dhe shfaqjeve kriminale në shoqëri.
Për më shumë klikoni në http://www.oranews.tv/