A1 Report - Fluturimet e droges, flota e narkotikeve drejt Italise

2015-08-22 4

TIRANE- Trafiku i drogës nuk po njeh limite në mënyrat e transportit. Trafikimi me anë të avionëve të llojeve të ndryshëm është bërë një problem shqetësues dhe i debatuar jo vetëm në Shqipëri, (kohët e fundit), por në gjithë Europën dhe më larg në kontinetin amerikan, ku SHBA është në luftë me trafikantët meksikanë dhe kolumbianë që trafikojnë tonelata drogë me avionë të ndryshëm. Por në Shqipëri ky problem doli muajt e fundit, deri kur në plazhin e Divjakës një avion Piper i drejtuar nga piloti italian, Giorgio Riformato u ul dhe nuk u ngrit dot për më shkak të shkëputjes së njërës prej gomave. Ngjarja ndodhi në 10 maj 2014 dhe italiani ndodhet në burg së bashku me shqiptarin, Sajmir Bajrami, i cili kishte blerë 470 kilogramë kanabis sativa për t'i dërguar përtej Adriatikut me anë të avionit të Riformatos.
ALARMI NGA SHQIPËRIA
Për udhëtimet nga Shqipëria dhe Ballkani në drejtim të Italisë janë informuar autoritetet e vendit fqinj. Duket se, veriu i Italisë është edhe territori më i përshtatshëm, por edhe më i miri, kjo edhe për çështje të numrave të pistave të uljeve të avionëve që ekzistojnë: 70 në Veneto, 30 në Friuli, 80 në zonën e Lombardisë dhe po kaq në zonën e Piemontes, pa përmendur edhe disa pista që persona privatë mund të hapin në pronat e tyre.
SHQIPËRIA SJELL KANABIS
Nëse nga vendet e tjera trafikohen lloje të ndryshme drogash, nga Shqipëria transportohen dy të tilla: kanabis sativa që është prodhim vendas, si dhe heroinë që blihet në Turqi. Droga vihet në valixhe dhe thasë që ngarkohen në avionë "Cessna" dhe "Piper". Që nga janari e deri në prill të këtij viti, burime nga policia shqiptare bëjnë të ditur se, në Itali janë trafikuar dhe kapur 9.7 tonë kanabis sativa. Ndërkaq edhe me Greqinë në po të njëjtën periudhë janë kapur 13 tonë, po kanabis sativa. Organizatat kriminale preferojnë që të ardhurat nga këto trafiqe t'i investojnë në biznese të ndryshme. Disa të dhëna të pa konfirmuara bëjnë të ditur se ditët e fundit në veri të Italisë është ulur një avion me një sasi shumë të madhe lënde narkotike. Për këtë qëllim kanë nisur kërkimet, por nuk është gjetur ende asgjë, pasi numri i pistave të uljes është shumë i madh.
RRËFIMI I NJË PILOTI
Nuk duhet ndonjë gjë e madhe. Ja si rrëfen një pilot: "Kam vetëm nevojë për një hapësirë prej 400 metrash. Kam në bord drogë. Fluturimet turistike bëhen poshtë 1500 këmbëve (450 metra)", thotë piloti. Sipas tij: "Në fundjavë qiejt janë të mbushur me avionë të ndryshëm. Të huaj që vijnë në vendin tonë, nga Gjermania, Austria, Sllovenia. Jemi shumë. Të maskohesh është e lehtë. Nëse një radar ushtarak të pikas. Po edhe? Pse duhet të më ndjek mua dhe jo ndonjë tjetër. Mbi bazën e çfarë dyshimi".

Free Traffic Exchange