Danielson në Maqedoni, takon kreun e BDI-së Ahmetin

2015-08-22 0

Komisioneri Europian për Zgjerim në BE, Shtefan Fyle nuk denjoi të zbriste në Shkup, për takime me autoritetet. Ishte zëvendësi i tij Kristian Danielson ai që u prit në takime nga kryeministri Gruevski, kreu i BDI-së Ahmeti si dhe ai i opozitës Zoran Zaev. Danielson kërkoi përmbushjen e reformave, rikthimin e dialogut politik me opozitën, si dhe tërhoqi vërejtjen edhe për lirinë e mediave. Nga Qeveria, në komunikatën e saj, shkruhej se me Danielsonin është theksuar përmbushja e rekomandimeve të fundit të OSBE-së për zgjedhjet, si dhe qëllimi për nevojën e dialogut institucional, me përfshirjen e të gjithë aktorëve politikë. Kjo nënkupton dialogun me opozitës, edhe pse në njoftimin e qeverisë, nuk thuhej konkretisht ashtu. Kërkesë tjetër e Danielsonit ishte edhe përmirësimi i klimës ndër-fqinjësore. Ndërkaq, pas takimit, kreu i BDI-së nuk deshi të komentonte mundësinë e humbjes nga Maqedonia të rekomandimit për fillimin e negociatave, madje edhe statusin kandidat, nga Komisioni Evropian, në rast se dështon në përmbushjen e kushteve politike.

"Në mënyrë hipotetike nuk dua të flas tani, do të shohim cili do të jetë vlerësimi i Komisionit. Unë i dëshirova punë të mbarë z. Danielson, por me një kusht që rekomandimi i 6-të të jetë i fundit dhe të mos mbetemi në pritje për rekomandimin e 7-të", deklaroi Ali Ahmet, kryetar i BDI-së.

Ahmeti mori përsipër të komentonte edhe bojkotin e opozitës, e cila është një nga pikat e nxehta të vërejtura nga BE-ja. Sipas Ahmetit, opozita duhet të ofrojë platformë dhe debat në kuvend, e jo t'i shmanget institucioneve.

"Opozita nuk ka ndonjë ofertë përmbajtjesore, dorëzimi i mandateve nuk është në dobi të opozitës, mendoj se opozita duhej të paraqitej me platformë, të gjitha çështjet për të cilat ajo mendon se duhet të ketë zgjidhje. Dhe sigurisht se kështu do të kishte fituar edhe përkrahjen e shumë partive politike", tha Ali Ahmet, kryetar i BDI-së.

Zëvendësi i komisionerit Fyle do të qëndrojë edhe nesër për vizitë në Maqedoni, ndërkohë që do të jenë zyrtarët e LSDM-së Zoran Zaev dhe zv/kryetarja Radmilla Sheqerinska ata që do të udhëtojnë drejt Brukselit, për t'u takuar atje, me komisionarin Fyle. Nuk është ende e qartë anashkalimi i vizitës së Fyles në Maqedoni, dhe as paralajmërimi i tij, kohë më parë, që dialogu i nivelit të lartë të vazhdonte me ngut pas formimit të qeverisë së re. Semra Jakupi