TIRANE- "Digitalb", platforma e të gjithë shqiptarëve festoi në një mbrëmje gala 10-vjetorin e krijimit të saj. Të ftuar drejtues e punonjës të "Top Medias" dhe mediave të tjera, personalitete të artit e sportit, politikanë. Në fjalën hapëse drejtori i përgjithshëm i "Digitalb" Alban Jaho, vlerësoi vizionin e themeluesit të "Top Medias" Dritan Hoxha, i cili e ngriti kompaninë në një periudhë kur Shqipëria me probleme ekzistenciale, ishte në kontradiktë të thellë me zhvillimet teknologjike të platformës dixhitale. Ai shtoi se katër elementëve të jetës, të gjithë ata që ngritën "Digitalb", u kanë shtuar elementin e pestë, atë shpirtëror.
Një përshëndetje të veçante bëri në këtë mbrëmje gala edhe Presidentja e "Top Media-s", Vjollca Hoxha, e cila kujtoi sakrificat dhe devocionin e të gjithëve për krijimin dhe zhvillimin e kësaj platforme dixhitale, ku kujtimi dhe falënderimi kryesor ishte për themeluesin, Dritan Hoxha.
Edhe kryetari i Kuvendit Ilir Meta, që përshëndeti në këtë festë të madhe vlerësoi "Digitalb" që përgjatë dhjetë vjetëve është shndërruar në platformën e dashur të shqiptarëve, ndërsa kryeministri Rama vlerësoi rolin e Dritan Hoxhës, novatorit dhe ideatorit të kësaj risie teknologjike jo vetëm në Shqipërinë e asaj kohe, e cila ka luajtur rolin kryesor në bashkimin kulturor, social e politik të të gjitha trevave shqipfolëse, Kosovë, Maqedoni, Preshevë.
Një vlerësim të veçante dha edhe kryetarja e Komisionit të Integrimit, deputetja e Partisë Demokratike Majlinda Bregu, që në fjalën e saj u shpreh se "Digitalb" ka bërë për vete që të gjithë shqiptarët.
Gjatë mbrëmjes u shfaq një dokumentar i shkurtër mbi historikun e krijimit dhe zhvillimit të "Digitalb" përgjatë 10 viteve, versioni i gjatë i të cilit do të shfaqet së shpejti në kanalet e "Digitalb" gjatë të gjithë muajit qershor.
U prezantua kënga e re "Je ti!", kompozuar enkas si një dedikim që "Digitalb" për gjithë publikut shqiptar, abonentë të kësaj platforme.
Drejtori i Pprogramacionit Agim Pocari, shpërndau në emër të kompanisë pesë çmime për bashkëpunëtoret ndër vite.
Mbrëmja vazhdoi me një koncert me këngë tradicionale vendase e moderne me përformues nga Shqipëria, Kosova, Maqedonia e Mali i Zi, duke mbledhur se bashku kështu edhe brenda një nate përfaqësues të shqiptarëve të të gjitha trevave. Një politikë editoriale kjo e "Digitalb" për të promovuar vlerat kombëtare, që e ka nisur nga krijimi i saj më 15 korrik të vitit 2004.