Jankullovska: Mbi 60 padi ndaj protestuesve në Gjorçe Petrov

2015-08-22 0

Mbi 60 persona janë ndaluar deri tani nga policia nën dyshimin e shkaktimit të incidenteve në lagjen Gjorçe Petrov, me datë 19 maj ku mbeten të shkrumbuara pothuajse të gjitha objektet afariste të shqiptarëve në këtë lagje. Ministrja e Brendshme Gordana Jankullovska thotë për disa nga personat e lartpërmendur janë ngritur padi kundërvajtjeje dhe për disa padi penale, ndërkohë që 5 gjenden aktualisht në paraburgim.

"Policia ka ngritur tani mbi 60 padi, një pjesë prej tyre janë kundërvajtjeje, një pjesë janë penale. Gjatë ditës së djeshme u ngrit edhe padia e fundit në të cilën janë përfshirë edhe 7 persona. Nëse gjatë periudhës së mëtejshme, gjatë zbardhjes së incidentit konfirmohet se ka pasur edhe pjesëmarrës të tjerë që nuk janë përfshirë në këto mbi 60 padi, sigurisht që ekziston hapësira e shtimit të numrit të padive kundër personave për të cilët do të vërtetohet se në çfarë do mënyre kanë qenë pjesëmarrës në prishjen e qetësisë dhe rendit publik, ose në vepra penale të lidhura me incidentet që ndodhën në territorin e komunës Gjorçe Petrov", deklaroi Gordana Jankullovska, Ministre e Brendshme.

Jankullovska theksoi ndërkohë se MPB-ja, në bashkëpunim me vetëqeverisjen lokale do të ndërmarrë aktivitete dhe iniciativa të cilat do t'u mundësojnë qytetarëve që të ndihmojnë policinë dhe me këtë të përmirësojnë gjendjen në fushën sigurisë, qetësisë dhe rendit publik.

"Qëllimi i këtyre aktiviteteve të cilat bashkë po i zbatojmë në terren mes qytetarëve është edhe ajo që ne të veprojmë në mënyrë parandaluese, përkatësisht t'i mësojmë qytetarët për obligimet e tyre, përkatësisht mënyrën e sjelljes ku ata kanë përgjegjësi personale sa i përket kujdesit ndaj pronës personale dhe në mënyrën e sjelljes personale gjatë prishjeve eventuale të qetësisë dhe rendit publik", tha Gordana Jankullovska, Ministre e Brendshme.

Protestat në lagjen Gjorçe Petrov nisën me datë 19 maj dhe zgjatën 3 ditë nën arsyetimin se qytetarët e kësaj lagjeje po shprehnin mllefin ndaj vrasjes së maturantit Angel Petkovski. Me këtë rast huliganët shkatërruan pothuajse të gjitha objektet afariste ne pronë të shqiptarëve të cilat ndodhen në këtë lagje.

Valmir Kuçi

Free Traffic Exchange