'Zgjohu' edhe zyrtarisht kërkon shkarkimin e Geshkovskës

2015-08-22 1

Lëvizja Qytetare "Zgjohu" dorëzoi sot në Prokurorinë Publike shkresën zyrtare për ngritje të procedurës ndaj prokurores Geshkovska. "Zgjohu" kërkon shkarkimin e prokurores nën arsyetimin se në fjalën e saj përfundimtare në rastin 'Monstra', shpalosi qëndrimet e saj duke mos u bazuar në të ashtuquajtura fakte, por që sipas kësaj lëvizjeje, janë paragjykime dhe fjalë boshe. "Zgjohu" vlerëson se Geshkovska, me këtë rast ka tejkaluar normat juridike dhe ka keqpërdorur pozitën e saj.

"E ftojmë Këshillin e Prokurorëve që urgjentisht ta shqyrtoj punën e prokurores Geshkovska gjatë tërë këtij procesi të lartpërmendur dhe në rast të konstatimit të parregullsisë ose keqpërdorimit edhe më të vogël, ta shkarkoj atë dhe të ndërmarrë të gjitha sanksionet e parapara me dispozitat ligjore", deklaroi Astrit Imeri, Zgjohu.

Edhe familjarët e të akuzuarve kërkojnë shkarkimin e Geshkovskës.

"Ne jemi të pakënaqur me rastin dhe kërkojmë lirimin e të akuzuarve menjëherë, sepse u pa se nuk ka asnjë argument por ka vetëm urrejtje ndëretnike dhe ndër-fetare".

"Në këtë shtet jodemokratik, nuk di se kush çka mundet me vendos. Geshkovska ka sjell një vendim shumë të keq për ata të akuzuar. Ne e dimë që ata nuk kanë pikë faji por po mbahen nëpër burgje që 2vjet e më tepër. Nuk ka fakte, nuk ka argumente por ata vazhdojnë të mbahen mbyllur. Ky shtet duhet ta kontrolloj veten pastaj të tjerët".

Fjala përfundimtare e Geshkovskës është kritikuar ashpër edhe nga njohësit e çështjeve juridike. Madje deklarata e saj është parë edhe nga prizmi i marrëdhënieve ndëretnike, pas është konsideruar si nxitëse të urrejtjes etnike dhe fetare. Bedri Rexhallari

Free Traffic Exchange