TIRANE - Ndërsa Shqipëria ndodhet nën "ethet" e vendimit të 23 Qershorit për statusin e kandidatit në BE, komisioneri për zgjerim në Bashkimin Europian, Stefan Fyle vjen në Tiranë për raundin e tretë të Dialogut të Nivelit të Lartë mbi Përparësitë Kyçe për Shqipërinë. Paralelisht me vizitën e eurokomisionerit, pritet të bëhet publik dhe raporti i Progresit i Komisionit Europian për Shqipërinë. Ai e ka nisur vizitën e tij në Tiranë me një takim me kreun e qeverisë shqiptare Edi Rama, ndërsa më tej është takuar me deputeten demokrate Majlinda Bregu.
A1 Report" ka mundur të zbardhë dje një pjesë të Progres-Raportit për Shqipërinë, në të cilin theksohet se "Rekomandohet dhënia e statusit për Shqipërinë". Paraprakisht mësohet se progres-raporti i KE vlerëson reformat e ndërmarra nga qeveria shqiptare në muajt e fundit, si dhe përpjekjet në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar.
Fyle ndodhet në Tiranë në vazhdën e takimeve të dialogut të nivelit të lartë, ku do të diskutohen mes zyrtarëve kryesorë të politikës vendase 5 pikat kyce, të vendosura nga KE. Takimi pritet të zhvillohet në ambientet e Hotel "Sheraton" rreth orës 10:00 të paradites, ndërsa konferenca e përbashkët mes Fyles dhe Ramës do nisë në orën 12 të mesditës.
ORA 08:40 Kryeministri Rama çeli takimin e parë zyrtar me eurokomisionerin Fyle. Pas takimit të mbajtur në kryeministri me dyer të mbyllura Rama komentoi në rrjetet sociale. "Në 10.00 nis Dialogu i Nivelit të Lartë e paralelisht bëhet publik online Raporti i Progresit i Komisionit Europian për Shqipërinë. Shpresoj!", shkruan Rama në Tuitter.