TIRANE- Deputetja e Partisë Socialiste Olta Xhaçka ka reaguar pas deklaratave të kreut të PD-së Lulzim Basha, i cili tha se ekonomia shqiptare është në rënie. Në një deklaratë për mediat, deputetja Xhaçka tha se shifrat e paraqitura nga Basha nuk janë reale, ndërsa theksoi se ekonomia shqiptare po ecën me ritmet e duhura.
"Sërish sot, zoti Basha tentoi të paraqiste disa shifra, kontradiktore me njëra-tjetrën, për t'u thënë shqiptarëve se gjoja ekonomia nuk po ecën me ritmet e duhura. Pyetja që shtrohet natyrshëm është me ritmet e kujt? Me ritmet e qeverisë së kaluar, që e zhyti vendin në borxhe dhe krijoi 1 milionë të papunë?
E vërteta është ndryshe, krejt ndryshe. Mjafton t'i referohemi tre shifrave kryesore:
Numri i të punësuarve të formalizuar në Shqipëri është shtuar me 30 mijë vetë. Paketa e re fasone dhe qasja e re në fshat janë duke hapur çdo ditë vende të reja pune.
Shqipëria në muajin prill eksportoi 10,3% më shumë se një vit më parë, në kohën kur qeveriste opozita e sotme. Në muajin mars eksportuam 6,6% më shumë se marsi 2013. Që do të thotë se në vendin tonë prodhohet më shumë dhe eksportohet më shumë", tha Xhaçka.
Duke u ndalur tek borxhet e qeverisë ndaj biznesit, deputetja Xhaçka tha se deri më tani janë shlyer 200 milionë dollarë borxhe ndaj sipërmarrësve vendas.
"Deri tani, janë shlyer 200 milionë dollarë borxhe, që qeveria e kaluar, sot në opozite, u kishte sipërmarrësve vendas. Por sigurisht zoti Basha për borxhet nuk flet, pasi deri dje pretendonin se borxhet nuk ekzistonin. Kurse në realitet borxhi i krijuar nga qeveria e zotit Basha dhe Berisha ishte plot 720 milionë dollarë.
Që ekonomia po ecën në rrugën e duhur e konfirmon edhe Fondi Monetar Ndërkombëtar, edhe Banka Botërore, të dyja institucione të cilave iu është rikthyer besimi tek qeveria shqiptare", vijoi Xhaçka.
Sipas deputetes socialiste "Që ekonomia po zhvillohet e konfirmon edhe "Standards and Poors", në raportin më të fundit kur thotë se pritshmëria për ekonominë shqiptare ka ndryshuar nga negative, në kohën kur qeveriste opozita e sotme, në stabël, tani që qeveris maxhoranca e re".