A1 Report - Shkoder, Meta inauguron Qendren e Formimit Profesional te fasoneve

2015-08-22 8

SHKODER - Kryetari i parlamentit të Shqipërisë Ilir Meta ka inaguruar në Shkodër Qëndrën e Formimit Profesional të biznesit fason. Pasi ka vizituar këtë qëndër, kreu i parlamentit ka falëndëruar edhe qeverinë Rama për kujdesin që po tregon për industrinë e këpucëve, veshjeve dhe të tekstileve të cilat krijojnë mijëra vende të reja punë në vendin tonë.

Kryeparlamentari Meta ka evidentuar faktin se krahasuar me vitin e kaluar janë rritur eksportet nga ky biznes.

"Në fare pak muaj ka një rritje të prodhimit në këtë fushë dhe të eksporteve, sidomos krahasuar me një vit më parë. Njëkohësisht ka dhe do të ketë gjithnjë e më shumë edhe një rritje të punësimit. Kjo mendoj se është Shqipëria e vërtetë, ajo që duhet të mbështesim."-tha Meta.

Për të nxitur edhe punësimin e djemve, në një fabrikë të prodhimit të këpucëve për eksport në Shkodër është hapur Qendra e Formimit Profesional, ku për herë të parë synohet që djemve të papunë, t'u krijohet mundësia për të marrë një zanat.

Kryetari i parlamentit Ilir Meta ka vizituar edhe mjediset e biznesit fason "Bertoni" ku është njohur edhe me llojet e këpucëve që prodhohen në këtë ndërmarrje dhe më pas eksportohen drejt vendeve të BE- së. Më pas Meta ka vizituar edhe disa biznese fason të metropolit verior.