TIRANE- Nishani depoziton në Kuvend një memo kundër ndryshimeve të ligjit për FA. Në një shkresë dërguar Kuvendit, Presidenti i Republikës thekson se është kundër nismave të ndërmarra nga ekzekutivi, ku thekson se i gjithë ndryshimi ligjor nuk është konsultuar me të në cilësinë e Komandantit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura. Në këtë memo e cila përfshinë të tri ligjet për ushtrinë, jepen ankesat e presidentit.
Konkretisht për ligjin e parë, atë për: "Autoritetet dhe Pushtetet e Komandimit të Forcave të Armatosura", thuhet se ka bazë ligjore të pa plotë, ku nuk përfshihet germa "d" e Kushtetutës, e cila flet për kompetencat e presidentit. "Baza e paplotë e këtij projektligji është një mangësi e tekniko-legjislative, e cila jo vetëm prek ndjeshëm kompetencat e Presidentit të Republikës, por është një vendim jo kushtetues dhe çon në pavlefshmëri absolute të këtij akti.
Projektligji po ashtu i heq Presidentit të Republikës instrumentet ligjore si urdhrat dhe udhëzime me të cilat mund të ushtrojë kompetencat e tij kushtetuese si Komandat i Përgjithshëm i FA. Një mangësi thelbësore e këtij projektligji është mosparashikimi i rregullimit të marrëdhënieve të FA me NATO. Kjo mangësi e bën këtë ligj joefektiv si dhe të paplotë, që nuk duhet ë pasqyrohet në këtë projektligjit të ri",- thuhet në memon e Nishanit për draftin e parë.
Për draftin tjetër, atë për "Gradat dhe karrierën ushtarake të FA", Nishani thekson në memon e tij se janë bërë pa u konsultuar me të si Komandant i Përgjithshëm i FA. "Në këtë këndvështrim kushtetues, çdo inisiativë ligjore që ka të bëjë me pushtetet dhe autoritetet e komandimit të FA, karrierën ushtarake, statusin e ushtarakut etj, duhet detyrimisht të bisedohen paraprakisht me Komandantin e Përgjithshëm të FA dhe të marrin dakortësinë e tij. Pra ushtrimi i kompetencave të dhëna nga Kushtetuta në kohë paqeje, Kryeministri dhe Ministri i Mbrojtjes dueh të jenë branda dhe në funksionin e drejtimit të FA nga Komandanti i Përgjithshëm, përndryshe cenohet dhe hierarkia e autoriteteve dhe pushteteve piramidë", thuhet në memon e Nishanit.
Krahas kësaj, një vërejtje tjetër që bëhet nga Nishani është edhe çështja e balancimit të pushteteve. Sipas presidentit, qeveria nëpërmjet këtij ligji prish balancat e pushteteve, legjislativ, ekzekutiv dhe gjyqësor pasi sipas tij, gradat madhore tani më bëhet nga Kryeministri dhe jo më nga Kuvendi.
"Vihet re se njësimi i gradave me funksionet organike për oficerët me gradë madhore në Forcat e Armatosura bëhej me ligj nga Kuvendi, ndërsa tani tek varianti i propozuar bëhet me vendim të Këshillit të Ministrave, me propozimin e ministrit të Mbrojtjes, çka sjellë si pasojë disiplinimin e karrierës së tyre ushtarake në mënyrë absolute tek Kryeministri dhe anashkalimin e Kuvendi", thuhet në memo.