Grabitjet nuk kanë të sosur në qytetet shqipëtare. Tre grabitje kanë ndodhur pasditen e së hënës në Fier, Sarandë dhe Tiranë.
Një grabitje me armë zjarri ka ndodhur në Fier, në qëndrën tregtare "ETC" ku 2 persona të armatosur i kanë marrë, nën kërcënimin e armëve, 3 milion lek menaxherit të qëndrës tregtare. Ngjarja ka ndodhur në parkingun e saj, në kohën kur po transportoheshin lekët. Sipas burimeve të policisë, grabitësit janë larguar menjëherë nga vendi ngjarjes me një automjet tip "Fiat Punto", të cilin më pas e kanë djegur në rrethinat e qytetit. Blutë e qytetit të Fierit kanë nisur hetimet për zbardhjen e vërtetë të ngjarjes.
Ndërkohë, një tjetër grabitje ka ndodhur në Sarandë, ku persona të armatosur kanë hyrë në shtëpinë e familjes Beqiri në fshatin Janjar. Nën kërcënimin e armëve, ata kanë arritur të marrin 1500 Euro dhe 3 celularë. Grabitësit nuk janë mjaftuar me kaq, pasi kanë dhunuar edhe Fatjon Beqirin 23 vjeç, i cili sapo ishte kthyer nga Greqia. Burime pranë policisë së Sarandës bëjnë me dije se janë identifikuar keqbërësit. Ata janë Sajmir dhe Qerim Brahimi. Uniformat blu kanë nisur punën për kapjen e autorëve, të cilët mendohet se janë larguar në drejtim të shtetit fqinj.
Ndërsa në Tiranë është parandaluar një grabitje me dhune,në zonën e "Unazës së Re" kur një i ri tentoi ti vidhte me forcë varësen një gruaje. Policia, e ndodhur në vendngjarje, ka pikasur hajdutin dhe ka bërë të mundur ndalimin dhe shoqërimin e tij.