TIRANE - Ekzekutimi i ish-drejtorit të "CEZ Shpërndarje" për Kurbinin, Viktor Skeja, pasditen e djeshme (01.06.2014), dyshohet të ketë lidhje me vrasjen e 2 vëllezërve Gjin dhe Viktor Gjini, ngjarje kjo e ndodhur në vitin 1999. Policia ka shoqëruar 14 persona për vrasjen dhe hetimet për ngjarjen përfshijnë edhe Komisariatin e Policisë së Kurbinit, për informacionet që mund të kenë për viktimën.
Ndërsa "A1 Report" siguron foton e 47-vjeçarit të vrarë. Edhe në atentatet e mëparshme ndaj tij nuk ishte bërë asnjëherë publike në media pamje apo foto të Skejës.
47-vjeçari, nga Kurbini u ekzekutua me breshëri plumbash nga armë automatike pasditen e të djelës në rrugën "Riza Cerova" në kryeqytet.
Grupi i përbashkët i hetimit të Prokurorisë dhe policisë së Tiranës, është duke parë lidhjet mes vrasjes së Skejës dhe vrasjes së dyfishtë të ndodhur në Kurbin në vitin 1999. Për ngjarjen Skeja ka qenë një nga të dyshuarit, ndonëse nuk rezulton të ketë patur proces ku ai të ketë qenë i pandehur për këtë krim.
Burimet thanë për "A1 Report" se Skeja ka qenë gjithashtu e dyshuar për grabitjen e një banke në vitin 1997. Ndërkohë që ndaj tij ka patur edhe një dënim për trafik nga autoritet italiane.
E gjithë kjo e shkuar e Skejës nuk e ka penguar atë që të emërohej në postin e drejtorit të "CEZ Shpërndarje" për zonën e Kurbinit, post të cilin e ka mbajtur të paktën deri në pranverën e vitit të fundit.
Policia ka rihapur dosjen e plagosjes me armë të Skejës në kazino shtatorin e vitit të kaluar, e cila në atë kohë u klasifikua si grabitje. Rihapja e dosjes pa autor bëhet për të parë nëse ka lidhje mes dy ngjarjeve.