TIRANE --Guximi i patriarkut serb për të deklaruar nga Tirana se Kosova, është tokë e shenjtë e Serbisë, nuk mund të kalonte pa rënë në sy dhe pa ngjallur debate të forta e kritika të ashpra në vend.
Dhe ka qenë vetë kreu i qeverisë shqiptare Edi Rama ai që ka dhënë vlerësimin e ashpër ndaj Tij Irinej, të ndodhur në Tiranë për ceremoninë e shenjtërimit të Katedrales Ortodokse "Ngjalla e Krishtit".
Rama ka zgjedhur pikërisht takimin sot në kryeministri me Janullatos, patriarkët botërorë, si Patriarkun Ekumenik Bartolomeu I dhe primarët e kishave të tjera ortodokse, për t'iu drejtuar me gisht patriarkut serb - i pranishem gjithashtu ne takim, - për deklaratën e tij, të vlerësuar nga kryeministri Rama, si shpërfillje e besimit tonë fetar.
Burime të besueshme bëjnë të ditur për televizionin A1 REPORT se Rama ka deklaruar se Tij Irinej shrytëzoi një rast fetar për ta kthyer në një cështje politike.
"Kolegu juaj", është shprehur Rama duke treguar me gisht patriarkun serb, "ka abuzuar me mikpritjen tonë, duke e tranformuar një festë fetare dhe provën e bashkëjetës tonë fetare në një çështje politike. "Ne jemi revoltuar dhe na ka fyer", është shprehur Rama.
Përballë "sulmit" dhe kritikave të hapura të Ramës, patriarku serb, Tij Irinej, nuk ka dhënë asnjë reagim. Në takimin në kryeministri me patriarkët botërorë kanë qenë dhe 3 ministra të kabinetit qeveritar, ministri i Mirëqenies Sociale dhe Rinisë, Erjon Veliaj, ministrja e Arsimit dhe Sportit, Lindita Nikolla dhe ministrja e Kulturës, Mirela Kumbaro.
E këtë qëndrim të ashpër kryeministri e ka shfaqur dhe me bojkotin e darkës zyrtare të ortodoksëve të mbajtur në hotel Sheraton të djelën në mbrëmje, menjëherë pas ceremonisë së shenjtërimit të Katedrales ortodokse "Ngjallja e Krishtit" në Tiranë.