Milloshoski shuan shpresat për zgjidhjen e emrit deri në samitin e Shtatorit

2015-08-22 1

Në kohën kur VMRO dhe BDI harmonizuan qëndrimet për programin e përbashkët, dhe ku një prej prioriteteve është anëtarësimi i vendit në NATO dhe BE, ish shefi i diplomacisë Antonio Milloshoski shuan shpresat, duke thënë se nuk ka zgjidhje të cështjes së emrit, deri në Samitin e radhës të NATO-s. Një deklaratë e tillë flet edhe për dështimin e idesë së BDI-së për pjesëmarrjen në këtë qeveri, me të cilën fillimisht u shpall kushti i hyrjes në qeveri.

"Deri në Samitin e NATO-s nuk besojë se do të arrihet zgjidhje për emrin e shtetit si rezultat i periudhës së shkurtër kohore. Kjo është puna e parë në të cilën do të duhet të kemi një propozim të qëndrueshëm dhe serioz, konsulta të rregullta. Një nga parakushtet që të arrihet zgjidhje e emrit është që të zhvillohet një dialog greko-maqedonas i një niveli të lartë politik, por ne po shohim se nga pala greke po mungon një vullnet i tillë. As kryeministri grek e as ministri i jashtëm grek apo vetë presidenti nuk po tregojnë gatishmëri që të mbajmë takime sy më sy, dhe ky fakt nuk e lehtëson mënyrën e gjetjes së një zgjidhjeje", tha Antonio Milloshoski, Ish Ministër i Jashtëm.

Milloshoski ka pranuar se në lidhje me kontestin e emrit, dy partnerët e koalicionit kanë qëndrime të ndryshme për dy aspekte. Njëra, sipas tij, është diskutimi publik i propozimeve që bën ndërmjetësi i OKB-së dhe, tjetra, mënyra e zgjidhjes së emrit, që sipas VMRO-DPMNE-së, duhet të përfshijë edhe referendum. Ndërkohë anëtari i lartë i këshillit ekzekutiv të partisë në pushtet, thotë se diskutimi dhe deklaratat mbi propozimet e ndërmjetësit Methju Nimic janë të dëmshme për procesin, sepse sipas tij, Athina është e prirë të ndërtojë qëndrimet e saj varësisht nga qëndrimi i Shkupit zyrtar.

"Nëse pala jonë thotë se një propozim është i pranueshëm, ky është sinjal për palën greke të thotë të kundërtën, dhe anasjelltas. Prandaj ne mendojmë se publikimi i qëndrimeve në lidhje me kontestin, është më së miri të kanalizohet në komunikimin diplomatik që zhvillohet në relacionin mes Maqedonisë, OKB-së dhe Greqisë",u shpreh Antonio Milloshoski, Ish Ministër i Jashtëm.

Për sa i përket çështjes së referendumit, Milloshoski thotë se BDI-ja nuk duket të jetë e kënaqur nga kjo ide e VMRO DPMNE-së. Për BDI-në duket se koha për të zgjidhur kontestin është më e rëndësishme se cilësia e zgjidhjes së këtij kontestit, ndërsa për VMRO DPMNE-në, cilësia dhe qëndrueshmëria e zgjidhjes së mundshme mes Maqedonisë dhe Greqisë është më e rëndësishme se kornizat kohore që dikush kërkon t'i vendosë. Deklaratat Milloshoski i bëri në një intervistë për Evropën e Lirë. Valmir Kuçi