A1 Report - Bari, kapen 1.3 ton droge nisur nga Durresi, ja emri i shoferit

2015-08-22 4

BARI- Një tjetër sasi e madhe lëndë narkotike, me vlerë prej 13 milionë euro me origjinë nga Shqipëria është bllokuar ditën e djeshme në Portin e Barit, pas një aksioni të përbashkët nga oficerët e Guardia di Financa dhe ato të doganave. Droga është zbuluar kur kamioni ka kaluar në skaner. Në pranga është vënë Detar Daullja 34 vjeç, me origjinë nga Berati dhe me banim në Tiranë, i cili ishte duke transportuar me kamionin e tij sasinë prej 1270 kilogramë kanabisa sativa, të ngarkuar në portin e Durrësit në Shqipëri.

Guardia di Finanza ka bërë të ditur se, ai është me precedentë penalë të më parshëm, pasi është arrestuar për trafik droge. Lënda narkotike ishte e ndarë në 1777 pako dhe ishte futur në pjesë të ndryshme të kamionit të llojit trajler.

DROGA E SEKUESTRUAR
Mëngjesin e djeshëm kamioni i nisur nga Shqipëria kishte mbërritur në portin e Barit dhe ka zbritur nga trageti. Policia ka bërë të ditur se, kishte dyshime për këtë kamion, për shkak të planifikimit të çuditshëm të udhëtimit: dokumentet e shoferit mësohet se ishin të ndryshme pasi ai duhej që të udhëtonte drejt Italisë me një tjetër traget, që siç duket e kishte ndërruar në momentin e fundit. Pikërisht për këtë arsye ata e kanë futur kamionin në skaner. Këtu doganierët kanë vënë re deformime të ndryshme në rimorkion e kamionit, në sistemin e ajrit si dhe kanë parë materiale të dyshimta në të.

Atëherë ata kanë bërë bllokimin e tij, në pjesën e brendshme të portit. Ndërkaq që menjëherë është shoqëruar edhe shoferi shqiptar i kamionit. Pas kontrollit të imtësishëm, oficerët e Doganës dhe të Guardia di Financës janë habitur: 1777 pako të mbushura me kanabis sativa me peshë të përgjithshme prej 1.270 kilogramësh dhe që pasi të shitej në treg, të ardhurat do të ishin më shumë se 13 milionë euro.

ARRESTOHET SHOFERI
Pas gjetjes së lëndës narkotike, menjëherë është vënë në pranga shoferi i komionit, shqiptari 34-vjeçar, Detar Daullja. Policia italiane ka bërë të ditur se, me bllokimin e kësaj lënde narkotike ka shkatërruar një organizatë kriminale që merrej me trafikun dhe shitjen e lëndëve narkotike në Itali. Gjatë këtyre muajve janë kapur rreth 5 tonë drogë me origjinë nga Shqipëria, gjatë disa aksioneve të organizuara në tokë dhe det. Pak ditë më parë u kap një peshkarexhë italiane që po transportonte më shumë se, 1400 kilogramë kanabis sativa, që e kishte marrë në Shqipëri. Ndërkaq një dërgesë tjetër u kap në zonën e Fiumiçinos, por në Itali.