Sekuestrohen 1270 kg kanabis ne portin e Barit, vinte nga Shqiperia

2015-08-22 2

BARI- Rreth 1270 kilogramë lëndë narkotike e llojit kanabis sativa është sekuestruar ditën e sotme në Itali, si dhe është arrestuar një shtetas shqiptar. Droga që vinte nga Shqipëria, e nisur nga Durrësi, ishte fshehur në një kamion. Aksioni i "Guardia di Finanza" në Bari, ka mundur të sekuestrojë lëndën narkotike gjatë një kontrolli të ushtruar në port. Gjatë kontrollit të mjeteve që kishin mbërritur në port, u gjet droga e fshehur në kamion, e cila ishte paketuar më 1177 pako.

Ndërkaq në pranga është vendosur një shqiptar 34 vjeç, lindur në Berat e banues në Tiranë, me precedent të mëparshëm penalë, ndërsa po hetohet për zbardhjen e plotë të ngjarjes dhe identifikimin e personave të tjerë të përfshirë në rrjet.

Hetuesit patën dyshime lidhur me mënyrën e çuditshme të planifikimit të udhëtimit, nisur edhe nga mënyra e ndryshme e mjetit të përdorur për transport, duke bërë kështu një inspektim të plotë të automjetit, me ndihmën e rrezeve X.

Në sajë të kontrollit u zbulua lënda narkotike, duke shmangur kalimin e drogës në tregun klandestin, shitja e së cilës llogaritej të kapte shifrën 13 milionë euro.

34-vjeçari shqiptar akuzohet për trafik ndërkombëtar të drogës, dhe është dërguar në burgun e Barit, ndërsa mjeti i përdorur për transportin e kanabisit është konfiskuar.