BUDVA -- Jonathan Moore, Drejtori për Europën Qendrore dhe Jugore në Departamentin Amerikan të Shtetit i ka deklaruar sot Ministres së Mbrojtjes Mimi Kodheli se Shtetet e Bashkuara të Amerikës "mbështesin të gjitha nismat antikorrupsion të ndërmarra nga Ministria e Mbrojtjes dhe se asnjë person apo institucion nuk duhet të bëhet pengesë për progresin dhe ecurinë e reformave."
Mbështetja amerikanë për Kodhelin bëhet kështu më e fortë, pasi vjen e dyta në më pak se 24 orë, përkundër akuzave të ashpra që drejtoi dje, ish-Kryeministri Berisha ndaj saj lidhur me shfrytëzimin e së motrës, punonjëse në Ambasadën e SHBA-së në Tiranë, në arrestimin për korrupsion të Gjeneralit Syrja Gjoka.
Mbështetja e parë për ministren u dha mbrëmë, nga Ambasada amerikane që e përkrahu ministren, duke hedhur poshtë akuzat e ish-Kryeministrit e duke u shprehur "se jemi të skandalizuar nga z.Berisha" dhe kërkuar atij të reflektojë mbi sjelljen e vet.
Moore, në takimin që pati me Kodhelin sot në një forum të organizuar në Budva, i bëri të ditur se "Shtetet e Bashkuara të Amerikës mbështesin Shqipërinë në çdo veprim që është duke ndërmarrë.
Sa i takon statusit të vendit kandidat, kjo është një çështje që ka të bëjë me interesat e të dy vendeve tona, si anëtare të NATO. Këtë mesazh e kemi dhënë dhe në Tiranë, por mesazhet tona nuk mund të them se kanë rënë në veshë të shurdhër, por në veshë që nuk duan të dëgjojnë.
Më tej z. Moore u shpreh se SHBA vlerëson kontributin që Shqipëria po jep në NATO. Ai shprehu edhe një herë mbështetjen në të gjitha nismat antikorrupsion të ndërmarra nga Ministria e Mbrojtjes, duke theksuar se është për t'u vlerësuar bashkëpunimi me Prokurorinë, duke e quajtur atë si një veprim të duhur në të tilla raste.
"Asnjë person apo institucion nuk duhet të bëhet pengesë për progresin dhe ecurinë e reformave", - u shpreh z. Moore.
Më tej, z. Moore ka theksuar se SHBA i kushton rëndësi të madhe sundimit të ligjit dhe inkurajon përpjekjet për të arritur qellimet e përbashkëta. "Ne ju mbështesim plotësisht në përpjekjet tuaja për të mbrojtur dinjitetin dhe nderin e FA".
Vetë Ministrja e Mbrojtjes, Kodheli, është shprehur për takimin:
"Sot mora pjesë në forumin "To be Secure" që po zhvillohet në Budva të Malit të Zi. Ne takimin që zhvillova me drejtorin për Europën Qendrore dhe Jugore në Departamentin Amerikan të Shtetit, z. Jonathan Moore, ai më shprehu mbeshtetjen e plotë të SHBA-së per luften kundër korrupsionit, për reformat në FA si dhe për mbrojtjen e dinjitetit dhe nderit të Forcave të Armatosura."