Padi penale kundër 7 personave të mitur, për trazirat në Gjorçe Petrov

2015-08-22 1

Ministra e Brendshme ka ngritur padi penale kundër shtatë personave të mitur, të dyshuar se me datë 20 Maj, përkatësisht ditën e dytë të protestave në Gjorçe Petrov kanë kryer veprën penale 'Pjesëmarrje në turmë që pengon kryerjen e obligimeve zyrtare të personave zyrtar'. Kumtesa e sotme e MPB-së mbanë datën e 20 Majit dhe jo edhe atë të 19 Majit ditës së parë të protestave kur u demoluan objektet afariste të shqiptarëve në këtë lagje. Zëdhënësi i MPB-së, Ivo Kotevski thotë se policia deri më tani ka ndaluar 40 persona prej të cilëve 5 janë në paraburgim, kurse për të tjerët ka ngritur padi kundërvajtëse dhe penale. Sipas Kotevskit në këtë numër të të ndaluarve bëjnë pjesë edhe shkelësit e ligjit me datë 19 maj.

"Për një pjesë të madhe të personave që protestuan me datë 19 Maj veç më janë ngritur padi kundërvajtëse, kurse janë ngritur edhe padi penale kundër atyre personave tek të cilët u konfirmua përgjegjësi penale dhe të cilët u identifikuan nga video-regjistrimet e siguruara nga MPB-ja. Policia po vazhdon që edhe më tej të punojë në zbardhjen e plotë të rastit, kështu që edhe ata persona të cilët në mënyrë plotësuese do të identifikohen si pjesëmarrës në incidentet, edhe kundër tyre do të pasojnë padi adekuate", deklaroi Kotevski -- zëdhënës i MPB-së.

Ndërkohë, zv/ministri i Brendshëm Zemri Qamili tha se javën që vjen Ministria do të dalë me raport të detajua mbi ngjarjet në lagjen e Gjorçes, personat e përfshirë në demolimin e objekteve afariste të shqiptareve, por edhe pengimin e pjesëtarëve të policisë në kryerjen e detyrës zyrtare. Valmir Kuçi