Ambasadorët e NATO-s dhe të Rusisë do të takohen për herë të parë që nga shpërthimi i krizës në Ukrainë. Siç njoftuan nga Aleanca, takimi do të mbahet të hënën. Ky do të jetë kontakti i parë që prej marsit pas aneksimit të Krimesë nga Rusia. Pas këtij takimi të përzier, do të pasojë takimi i veçantë, vetëm i shteteve anëtare të Aleancës.
"Ne si NATO po e shqyrtojmë bashkëpunim tonë të mëtejshëm me Rusinë. Tashmë e kemi ndërprerë tërë bashkëpunimin praktik. Nga mbarimi i qershorit, ministrat e jashtëm të NATO-s do të bisedojnë për marrëdhëniet e mëtejshme me Rusinë...", tha Anders Fogh Rasmusen, sekretar i Përgjithshëm i NATO-s.
Ndërkaq, mbrëmë ushtria ukrainase bombardoi përsëri objektivat në qytetin Sllovjansk në lindje të Ukrainës. Sipas mediave ruse, ka edhe viktima civile, por nuk përmendet numri i tyre. Moska dhe grupet pro-ruse në këtë pjesë të vendit konsiderojnë se sulmi ishte hakmarrje për rrëzimin e helikopterit të ushtrisë ukrainase, kur humbën jetën 14 ushtarë, duke përfshirë edhe një gjeneral.
Në një çrregullim të tillë diplomatik dhe ushtarak, qeveria në Kiev bëri të ditur se herët në mëngjes pagoi gati 800 milionë dollarë borxh të mbetur për gazin. Paratë u transferuar në llogarinë e kompanisë ruse "Gazprom", e cila nga ana tjetër pohon se Ukraina ende i ka borxh. Borxhi deri në qershor do të rritet në 5 miliardë dollarë.
Ndërkaq, presidenti rus Vladimir Putin në një bisedë telefonike me kryeministrin turk, Rexhep Taip Erdogan, shprehu shqetësimin nga operacioni i autoriteteve të Kievit në pjesën lindore të vendit. Erdogan nga ana e tij, i vlerësoi pozitivisht zgjidhjet e ndërmarra nga presidenti rus për të përmirësuar gjendjen e tatarëve të Krimesë dhe për sigurimin e pjesëmarrjes së tyre të plotë në jetën shoqërore dhe politike të Krimesë. Ivan Bllazhevski