Janë bërë të zakonshme tashmë përplasjet mes VMRO DPMNE-së dhe LSDM-së, lidhur me bojkotin e opozitës dhe kthimin e mandateve të deputetëve. Kryeministri Nikolla Gruevski tha se ky veprim i opozitës shkon në favor të Greqisë. Sipas tij, kjo po dëshmohet edhe me vëmendjen e mediave greke. Gruevski theksoi se opozita, nga ana tjetër, nuk ka njoftuar se nuk do ta njohë apanazhin, pagesën për një vit pas përfundimit të mandatit, që i takon çdo deputeti nga përbërja e kaluar parlamentare.
"Po, është e vërtetë se mediat greke vazhdimisht dhe në mënyrë gjithëpërfshirëse shkruajnë për dorëheqjet e deputetëve të LSDM-së dhe mendoj se vetë interesi i tyre tregon se kujt i shkon për shtati, ky akt i LSMD-së", tha Nikolla Gruevski, kryeministër.
Ka reaguar LSDM-ja duke thënë se pikërisht partia e Nikolla Gruevskit, i verifikoi me dhunë mandatet e deputetëve të opozitës, duke shkelur Kushtetutën.
"Meqenëse për Nikolla Gruevskin dhe VMRO DPMNE-në, kushtetuta dhe ligjet nuk vlejnë, dhe nga ana tjetër, shërbimet dhe komisionet përgjegjëse në Parlament për mandatet udhëhiqen nga kuadrot të pushtetit, duam që VMRO-ja t'i sqarojë opinionit se çfarë vendime do të marrë dhe në bazë të cilit ligj", thuhet në reagimin e LSDM-së.
Kryeministri Gruevski sot konfirmoi gjithashtu se ka ngritur padi për shpifje ndaj liderit të LSDM-së, lidhur me rastin "Makedonska Banka".
"Po, është e vërtetë. Nëse Zaevi beson në atë që ka pohuar, nuk ka nevojë të frikësohet. Por, mendoj se nuk do të përfundojë ashtu, për shkak se pohimet e tij nuk jam të vërteta", u shpreh Nikolla Gruevski, Kryeministër.
Afera u hap nga opozita në kohën e fushatës zgjedhore. Zaev akuzoi Gruevskin për ryshfet prej 1,5 milion eurosh në dorë, gjatë shitjes së "Makedonska Bankës". Adrian Kerimi