A1 Report - Deshmia e ish-oficerit: Ja si behej trafik droge nga aeroporti i Gjadrit

2015-08-22 3

TIRANE - Dëshmia e një oficeri të ushtrisë është mes dokumenteve që Komisioni Parlamentar Hetimor mbi Trafikun e Drogës ka në dorë për të treguar që trafiku me avionë kryhej në kohën e Qeverisë Berisha, kur ministër i Mbrojtjes ishte Arben Imami dhe ministër i Brendshëm ishte Flamur Noka.

Oficeri ka treguar se ai vetë ka qenë dëshmitar në periudhën nga Tetori 2012 në Mars 2013 kur disa avionë janë ulur në aeroportin ushtarak të Gjadrit për të ngarkuar drogë. Në Mars, oficeri transferohet nga ministri i Mbrojtjes Arben Imami në një bazë tjetër dhe në këtë rast nuk ka mundur të dëshmojë nëse trafiku është bërë dhe më pas.

Oficeri, emri i të cilit deri tani nuk është bërë i ditur, u ka treguar për avionët misteriozë edhe shefave të tij pas ndryshimit të qeverisë: Njerëz të SHIU-t kanë mbajtur nën vëzhgim si bazën ajrore të Gjadrit, ashtu dhe të tjerat nën kontrollin e Forcave të Armatosura deri në Mars 2014, pa zbuluar ndonjë gjë të dyshimtë.
Mbetet për të verifikuar besueshmëria e oficerit-dëshmitar.

Dje kryeministri Edi Rama zbuloi në Kuvend se komisioni hetimor parlamentar i drejtuar nga Ermonela Felaj ka mbledhur prova që tregojnë se trafiku i drogës me përdorimin e avionëve ka ndodhur me të vërtetë, por në kohën e Berishës.

Komisioni mësohet se ka mbledhur informacion edhe mbi të gjitha lejet e fluturimeve të të gjithë avionëve privatë të dhënë në Shqipëri në vitin 2013 dhe 2014. Gjatë vitit 2013 janë ulur në Rinas 650 avionë të vegjël, ndërkohë që vetëm për tre mujorin e parë të 2014 në këtë aeroport janë ulur rreth 250 avionë.

Përmes bashkëpunimit me vendet aleate, mësohet së është qartësuar edhe se me datën 19 Mars 2014 në Shqipëri nuk ka pasur asnjë fluturim privat, ndërsa sipas informacionit të SHISH, pikërisht me 19 Mars 2014, një avion privat është ulur në Gjadër për të ngarkuar drogë. Nga ky informacion që u konfirmua i pabazuar, më pas shpërtheu polemika politike që shtyu opozitën të akuzojë qeverinë e Edi Ramës se ka organizuar trafikun e drogës duke përdorur bazat ajrore të Forcave të Armatosura.

Free Traffic Exchange