A1 Report - INUK, shembet me eksploziv pallati 9-katesh ne Golem

2015-08-22 4

DURRES - Inspektoriati Ndërtimor Urbanistik Kombëtar ka shembur sot rreth orës 15:00 me eksploziv pallatin 9-katësh në pronësi të biznesmenit Enver Shala, në zonën e Shkëmbit të Kavajës.

150 kilogramë lëndë eksplozive C4 i vendosur në 1800 piketa kanë mjaftuar për shembjen e godinës 9- katëshe në bregdetin Shkëmbit të Kavajës.

Shembja shkaktoi dëme të vogla materiale tek ndërtesat përreth teksa janë thyer xhama banesash, ndërsa nuk ka pasur të lënduar në njerëz.

Shpërthimi ka tërhequr kureshtarë të shumtë, të cilët ndoqën me kërshëri momentin kur ndërtesat 9- katëshe u bë njësh më tokën.

Prej ditësh forcat xheniere dhe punonjësit e INUK ishin vendosur në këtë godinë, teksa punon për hapjen e piketave ku do vendosej sasia e lëndës plasëse.

Godina 9-katëshe në pronësi të biznesmenit, Enver Shala, nuk dispononte asnjë dokument, ndërsa është e para ndërtesë në bregdetin e Durrësit që do shembet me shpërthim të telekomanduar.

Policia e Durrësit kishte njoftuar bllokimin e qarkullimit të automjeteve nga ora 14:00-15:00 në rrugën interurbane kryesore dhe dytësore Durrës-Kavajë.