Gruevski ia faturoi opozitës humbjen eventuale të rekomandimit të BE-së

2015-08-22 0

LSDM-ja ecën sipas inercisë dhe strategjia kryesore e saj është që t'i shkaktojë dëm sa më të madh Maqedonisë dhe qytetarëve të saj. Kështu u shpreh kryeministri Nikolla Gruevski duke komentuar vendimin e LSDM-së për të braktisur parlamentin.

"Shansi që, në këtë mënyrë të humbasim rekomandimin e BE-së është shumë i madh. Mendoj se njeriu më i lumtur në këtë moment do të jetë Zoran Zaevi, ai do të kërcejë 1 metër lartë tokës nëse mëson se Maqedonia ka humbur këtë rekomandim. Qytetarët e dinë këtë gjë; kjo nuk është strategji, është politika shkatërruese që drejtoi Branko Cërvenkovski e që tani po e vazhdon Zoran Zaevi. Ky është një dëm i drejtpërdrejt ndaj qytetarëve të Maqedonisë dhe vetë shtetit", deklaroi Nikolla Gruevski, kryetar i VMRO-DPMNE.

Sipas Gruevskit, LSDM-ja edhe gjatë zgjedhjeve të rregullta pas 4 vjetësh do të përjetojë katastrofën më të madhe përsa i takon përkrahjes nga ana e qytetarëve. Ndërkohë i menjëhershëm ishte edhe reagimi i LSDM-së. Përmes një reagimi me shkrim, partia opozitare tha se ky nervozizëm i Gruevskit, ishte i pritshëm. LSDM-ja e porositi Gruevskin që të heq dorë nga kërcënimet qesharake.

"Megjithëse opozita miraton një vendim të tillë, Kuvendi ynë në hije do të funksionojë, dëshiron apo jo Gruevski. Opozita do të shfrytëzojë të gjitha mekanizmat demokratike që të veprojmë jashtë parlamentit, dhe për këtë LSDM-ja dhe partnerët e saj të koalicionit nuk i kërkojnë leje nga Gruevski", thuhet në reagimin me shkrim të LSDM-së.

Por, lidhur me këto paralajmërime të LSDM-së për veprim jashtë institucioneve, Gruevski tha se një precedent të tillë Maqedonia e ka përjetuar edhe në të kaluarën, gjatë kohës kur Cërvenkovski ishte aktiv në politik. Valmir Kuçi

Free Traffic Exchange