TIRANE - Prokuroria e Tiranës vendos të pushojë kallëzimin që shtetasi Albert Pali, bëri disa ditë më parë kundër koordinatores së Partisë Demokratike Grida Duma. Vendimi është marrë disa ditë më parë nga prokurori i çështjes, por ende nuk është firmosur nga drejtuesi i Prokurorisë së Tiranës Petrit Fusha.
Sipas prokurorisë çështja nuk mund të hetohet për shkak të parashtrimit të veprës penale. I moshuari Pali, kallëzoi në prokurori Grida Dumen dhe biznesmenin Roland Rexho, të cilët gjatë periudhës kur ishin bashkëortakë të kompanisë ndërtimore "Kristian Construction" e kanë mashtruar duke mos i dhënë dy apartamente. Pallati që Duma dhe Rexho kanë ndërtuar është bërë mbi pronën e kallëzuesit Albert Pali.
Sipas kontratës Duma dhe Rexho në përfundim të objektit, pra pallatit, detyroheshin të kalonin në pronësinë e kallëzuesit tre apartamente me nga dy dhoma dhe një guzhinë me sipërfaqe totale 283 metra katror. Por në fakt kallëzuesi ka marrë vetëm një apartament 90 metra katror. Kontrata mes palëve është lidhur në vitin 2005.
Më tej Albert Pali pretendon se kjo marrëveshje nuk është respektuar dhe për pasojë, ai ka ndjekur rrugët ligjore duke e paditur penalisht në prokurorinë e Tiranës Grida Duma dhe aksionerin tjetër Roland Rexhon. Mësohet se veç kësaj padie kompania në fjalë ka dhe 15 procese gjyqësore.