TIRANE - Këshilli i Lartë i Drejtësisë ka rrëzuar kërkesën e Ministrit të Drejtësisë Nasip Naço për masë disiplinore ndaj 4 gjyqtarëve, duke vendosur për masën e vërejtjes vetëm 2 prej tyre.
Në mbledhjen e djeshme të KLD e cila ka zgjatur rreth 16 orë, është vendosur për masë disiplinore vërejtje për gjyqtarët Kaçe Agollin dhe Lindita Hoxhën, ndërsa për gjyqtarët Ibrahim Hoxha, ndaj të cilit është kërkuar edhe shkarkim nga Naço, dhe Valbona Duraj nuk është dhënë asnjë masë disiplinore.
Burime për Shqiptarja.com bëjnë të ditur se ka pasur debate të shumta për mosmarrjen e masës disiplinore veçanërisht për gjyqtarin Ibrahim Hoxha, ndaj të cilit është kërkuar shkarkim, madje është aluduar edhe për përkrahje klientliste nga disa prej anëtarëve të KLD në vendimarrjen ndaj këtij gjyqtari.
Mbledhja nisi me debate në lidhje me projektligjin e ri për "Vlerësimin e gjyqtarëve", ku Ministri i Drejtësisë Naço u sulmua se synon të krijojë një KLD paralele. Sipas disa anëtarëve të KLD, Naço kërkon ta bëjë këtë duke ngritur një komision të posaçëm që do vlerësojë gjyqtarët, gjë e cila sipas tyre bie ndesh me Kushtetutën e Shqipërisë, dhe se dublon punën e vetë këshillit.
Po ashtu gjatë mbledhjes u miratua kandidatura e gjyqtarit Sandër Simonit, në krye të Gjykatës së Krimeve të Rënda, Isuf Shehu si kryetar të Gjykatës së Kukësit dhe Alltun Çela si Kryetar i gjykatës së Shjkallës së Parë Sarandë.
Ndërkohë mësohet gjithashtu se gjatë mbledhjes anëtari i KLD-së Gjin Gjoni, i akuzuar nga ILDKP për fshehje të pasurisë në vlerën e 2 milionë eurove, ka ripërsëritur kërkesën e tij për pezullim nga detyra deri në përfundim të procesit hetimor të nisur ndaj tij.
Mbledhja e djeshme e KLD, e cila filloi në orën 10:00 dhe përfundoi rreth orës 02:00 të mëngjesit të sotëm, erdhi si rezultat i kërkesës së Ministrit të Drejtësisë Nasip Naço për masë disiplinore ndaj 4 gjyqtarëve.
Me debate të ashpra është zhvilluar për orë të tëra mbledhja e Këshillit të Lartë të Drejtësisë. Shumica e anëtarëve të këtij këshilli kanë sulmuar ministrin e Drejtësisë Nasip Naço, se me projektligjin e ri për "Vlerësimin e gjyqtarëve", synon të krijojë një KLD paralele. Sipas disa prej anëtarëve ministria e Drejtësisë, këtë gjë kërkon ta bëjë nëpërmjet sistetmit të vlerësimit të gjyqtarëve, për të cilin kërkon me anën e projektligjit të ngrejë një komision të posaçëm që do vlerësojë gjyqtarët e shkallës së parë dhe shkallës së dytë. Kjo sipas pjesës dërmuese të anëtarëve të KLD bie ndesh me Kushtetutën e Shqipërisë, dhe se dublon punën e vetë këshillit. Mësohet se nga ana e tij ministri i Drejtësisë Naço, ka kërkuar që projektligji të shihet me profesionalizëm dhe jo me ndikimin politik të secilit prej anëtarëve. Mbledhja e djeshme ka nisur që prej orës 10:00 të paradites së të Enjtes duke vazhduar deri në orët e para të mëngjesit të së premtes. Në rendin e ditës kanë qënë plot 19 pika, ku mes tyre kanë qënë dhe kërkesat e ministrit Naço, për procedimin disiplinor të gjyqtarëve, Lind...