Mbi 50 emigrantë të huaj keqtrajtohen dhe detyrohen të qëndrojnë pa kushtet minimale të jetesës në Qendrën për Strehimin e Emigrantëve të Huaj. Burime brenda Qendrës shpjegojnë për televizionin Alsat M se mënyra se si jetojnë emigrantët në këtë institucion, nuk i ngjan as jetës së kafshëve. Drejtuesit e Qendrës për strehim sot nuk deshën të komentonin këto informata.
"Dyert e Qendrës për të huaj mbeten të mbyllura për televizionin Alsat M. Brenda dyerve të mbyllura dhe larg syve të opinionit publik, mbahet i fshehtë trajtimi çnjerëzor që iu bëhet emigrantëve të huaj".
Shumica e emigrantëve të strehuar kanë mbi 6 muaj në këtë qendër. Për shkak të kushteve të vështira, ata që qëndrojnë më gjatë kanë filluar grevë urie, e cila është në ditën e 8 tashmë. Sipas burimeve tona, askush nuk shqetësohet të gjejë një zgjidhje rreth fatit të emigrantëve, t'u jepet azil ose të deportohen në vendin e tyre. Edhe pse kanë paguar gjobën për hyrje ilegale në Maqedoni, diku nga 500 euro, statusi i tyre nuk ka marrë ndonjë zgjidhje. Në pritje të zgjidhjes së çështjes, emigrantët detyrohen të qëndrojnë në kushte të vështira dhe me mungesa të shumta, përfshi edhe ushqimin, izolimin 24 orë në këtë qendër, etj. Shumica e tyre tashmë kanë harxhuar paratë që kanë sjellë me vete, gjë që e bën edhe më të vështirë ekzistencën e tyre. Numri më i madh i emigrantëve në këtë qendër janë të arratisur nga lufta e përgjakshme e Sirisë. Ka edhe nga Afganistani, Algjeria, Somalia, Eritrea, Sri Lanka dhe Maroku. Problem tjetër është edhe lokacioni i objektit, i cili gjendet në lagje të banuar në Gazi Babë, vetëm pak metra larg shtëpive private. Arratisjet nga kjo qendër, që nuk janë të rralla për shkak të kushteve, vënë në rrezik të drejtpërdrejtë banorët lokalë. Autoritetet e Qendrës na kërkuan leje të veçantë nga Ministria e Brendshme, para se të na lejonin të vizitonim objektin si dhe nuk pranuan t'i përgjigjeshin asnjërës prej pyetjeve tona. Benjamin Arifi