TIRANE- Pas disa protestave të përshkallëzuara të artistëve të Teatrit të Operës dhe Baletit që kundërshtuan punësimin me kontrata, Ministrja e Kulturës, Mirela Kumbaro, ka formuluar përfundimisht një shkresë zyrtare drejtuar drejtorit të teatrit, Ilir Kerni. Kjo shkresë i vihet në dijeni edhe kryetarit të Sindikatës së Pavarur të Artistëve, Reshat Ibrahimi, organizatorit të protestës. Shkresa përfundimtare, sipas burimeve nga ministria, vjen pas propozimeve të përfaqësuesve të trupës artistike të Teatrit të Operës dhe një grupi pune të ngritur për reformën.
Sipas këtyre burimeve, "Ministria e Kulturës ka marrë përsipër që në fillim të punës së saj të reformojë institucionet e artit në vend, për të nxitur krijimtarinë, për të rritur cilësinë artistike si një zhvillim i natyrshëm e profesional i karrierës për të gjithë artistët, për të garantuar e respektuar dinjitetin e artistit dhe duke synuar përfshirjen e të rinjve në këto institucione". Duke e konsideruar si të domosdoshme dhe të rëndësishme nisjen e reformës në institucionet e artit, ministrja Kumbaro thekson se "kjo reformë do të bëhet në bashkëpunim me komunitetin, duke mos shkurtuar asnjë vend pune, por duke vendosur promocionin e cilësisë artistike, sistemin e kontratave individuale, kategoritë e detajuara, sistemin e vlerësimit dhe disiplinën artistike.
" Përfundimisht, forma e kontratës fillestare është 3 muaj provë. Pas 3 muajve të provës për artistët e rinj, Ministria e Kulturës e ka propozuar modelin kontraktual me afat 2-vjeçar, kontratë e rinovueshme për kategoritë: dirigjent, regjisor, koncertmaestër, solist, balerinë, etj. Kjo kontratë vlen edhe për punonjësit ekzistues të TKOBAP. Kohëzgjatja e kontratës do të jetë në varësi të rolit dhe pozicionit për të cilin konkurrohet. Burime nga Ministria e Kulturës kanë deklaruar se përshkallëzimi i mëtejshëm i kontratave nga 3-deri në 5-vjeçare do të jetë individuale.
Veçanërisht për artistët e Teatrit të Operës dhe Baletit kjo reformë e Ministrisë së Kulturës i gjen të papërgatitur. Ata janë skeptikë dhe insistojnë sërish në protesta. Për ta, duket se pak rëndësi ka nëse u thuhet nga ministrja e Kulturës ose drejtori i TKOB-it se "kontrata dhe ndryshimi i kohëzgjatjes së tyre u jep mundësi artistëve të kryejnë lëvizje të brendshme karriere në institucion".
Ja si do të jetë sistemi i kontratave individuale
Me përfundimin e periudhës së provës në procedurën e parashikuar dhe për marrëdhëniet e punës së punonjësve aktualë Ministria e Kulturës ka firmosur propozimin për format e mëposhtme kontraktuale: a)me afat 2-vjeçar, e rinovueshme për dirigjentët, regjisorët, koncert-maestrat, solistët, trupa e Ansamblit të Këngëve e Valleve. b)me afat 3-vjeçar: Asistent dirigjentët, Spala Sektori (Orkestra), Spala Sektori (Kori), balerin i kategorisë I, II. c) me afat 4-vjeçar: orkestrant i kategorisë I, II, korist i kategorisë I, II, pianist (pregatitor, korepetitor). d)kontratë pune 4-vjeçare, me emërim: drejtor artistik i Drejtorisë së ...