Zgjedhjet parlamentare evropiane mund të konsiderohen si një sukses i partive populiste evropiane. Fronti Kombëtar i Ekstremit të Djathtë në Francë arriti një fitore surprizë në këto zgjedhje, duke shënuar një rritje të paparë në mbështetje të partive anti-BE në të gjithë Evropën. I udhëhequr nga Marine le Pen, Fronti Kombëtar, është një nga katër partitë anti-BE në këto zgjedhje parlamentare. Asnjë rezultat tjetër nuk pritet të ketë një ndikim më të madh në Bruksel sesa fitorja e Le Penit në Francë, vend i cili së bashku me Gjermaninë është bashkë-themeluesi i BE-së dhe motori që e ka shtyrë projektin europian për gjysmë shekulli.
Në Britani, fitorja e Partisë së Pavarësisë shënon herën e parë që nga viti 1906 që një parti tjetër përveç asaj Konservatore apo Laburiste fiton në zgjedhjet kombëtare. Lideri Farage tha se partia e tij nuk ishte më një grup i ndarë, por "forcë e tretë " në politikat kombëtare përpara zgjedhjeve të përgjithshme të 2015-ës. Partitë populiste të cilat do të përbëjnë të paktën një të katërtën e parlamentit të ri janë një grup poliglot, duke filluar nga ekstremistët e majtë të Syrizës e cila mori 26.5 për qind të votave, ndërkohë që partia "Ne mundemi" befasoi Spanjën duke marrë 8%, e deri tek ultranacionalistët e djathtë të Lëvizjes për një Hungari më të mirë që zuri vendin e dytë me 14.7 për qind dhe neo-nazist Agimi i Artë i Greqisë që u renditën të tretët me 9.4 për qind. Por të marra së bashku, suksesi i tyre mori nga terreni i tre partive tradicionale të Evropës në Bruksel. Edhe fituesi i zgjedhjeve, partia Popullore Evropiane e kancelares gjermane Angela Merkel, pësoi një rënie me 7% në krahasim me pesë vjet më parë.
Kurse në Itali Partia e kryeministrit Mateo Renzi shënoi një fitore të thellë duke marrë 40,81% të votave ose 32 vende në parlamentin evropianmandate. Fitorja e tij shënoi një rritje me rreth 15% nga zgjedhjet e fundit të 2009. Por nuk mund të thuhet e njëjta gjë për euroskeptikët e Lëvizjes me 5 Yje të Beppe Grillos i cili zhgënjeu në këto zgjedhje duke marrë vetëm 17 mandate ose 21.15% të votave. Kurse Partia e ish-kryeministrit Silvio Berluskoni Forza Italia ka marrë 16.81% ose 13 mandate parlamentare.