Anëtarët e Komisionit të përkohshëm për interpretimin e ligjeve lidhur me përdorimin e gjuhës në nivel të qytetit të Shkupit, Naser Zyberi dhe Vllado Popovski, nuk dëshirojnë të flasin para kamerave të ALSAT lidhur me punën e komisionit në fjalë. Edhe pse të ngarkuar për gjetjen e një zgjidhjeje juridike për përdorimin e gjuhës shqipe në kryeqytet, të dy e arsyetuan sot heshtjen, me obligime të tjera private. Madje Vllado Popovski mohonte të ishte anëtar i këtij komisioni. Pasiviteti i komisionit, i formuar ekskluzivisht për çështjen e gjuhës, u tentuar të arsyetohej nga anëtarët shqiptarë, me zgjedhjet e parakohshme parlamentare. Megjithatë asnjë nga të përfshirët në këtë çështje nuk shpjegon se pse iu duhet kaq shumë kohë për të zgjidhur çështjen e cila është shumë e qartë në aspektin juridik, madje është e rregulluar edhe me Kushtetutë, me amendamentin V të saj, ku mes tjerash thuhet se:
"Në njësitë e vetë-administrimit lokal, gjuha dhe alfabeti që e përdorin të paktën 20% e qytetarëve është gjuhë zyrtare, krahas gjuhës maqedonase dhe alfabetit cirilik të saj".
I qartë është edhe Kodi Penal i cili parashikon deri në 5 vjet burg për ata që nuk e respektojnë të drejtën e përdorimit të gjuhës shqipe të garantuar me Kushtetutë. Kodi Penal në nenin 138 parashikon:
Paragrafi 1 - Ai që do t'ia marrë ose kufizojë qytetarëve të drejtën e garantuar me kushtetutë, ligj apo marrëveshje të ratifikuar ndërkombëtare për përdorimin e gjuhës dhe shkrimit, do të dënohet nga 3 muaj deri në 3 vjet burg.
Paragrafi 2 - Nëse vepra e paragrafit 1 kryhet nga person me detyrë zyrtare, ai do të dënohet me burg nga 6 muaj deri në 5 vjet.
Deri tani asnjë parti politike, organizatë joqeveritare, grup qytetarësh apo individ nuk ka ngritur padi penale kundër kreut të Qytetit të Shkupit Koce Trajanovski, për shkeljen e Kushtetutës. Paditë e ngritura vitin e kaluar nga Lëvizja "Zgjohu" ndaj drejtorëve të ndërmarrjeve publike në kompetencë të Qytetit të Shkupit, ende nuk kanë marrë epilog gjyqësor. Benjamin Arifi