TIRANË - Komisioni i Veprimtarisë Prodhuese ka miratuar marrëveshjen me KFW për ripërtëritjen e huamarrjes për linjën e jugut të energjisë. Afatet e huamarrjes nga Banka gjermane KFW kishin skaduar që në vitin 2013. Në një intervistë për A1Report, deputeti i PS Eduard Shalsi ka konfirmuar se investimet në linjën e jugut do të sjellin siguri energjetike.
1-Sapo miratuat marrëveshjen e re për huamarrjen e ndërtimit të linjës së Jugut me bankën Gjermane KFW, ç'mund të themi më shumë për këtë marrëveshje?
Marrëveshja është firmosur përpara, por për shkak të vonesave të paarsyetueshme në prokurime nga qeveria e kaluar në prokurime , procesi ishte shtyrë dhe tashmë me një marrëveshje me bankën Gjermane KFW, duhej ripërtërirë e gjithë struktura e huamarrjes. Ne shtymë afatet që kishin skaduar. Është një projekt shumë i rëndësishëm për Jugun dhe gjithë Shqipërisë. Bëhet fjalë për një unazë energjetike, që do të japë siguri energjetike për Jugun e vendit. Ajo që bën ky sistem zvogëlon humbjet në rrjetin e Jugut të Shqipërisë ofron siguri energjetike dhe furnizim efikas edhe për zonat turistike. Ajo që na ka shqetësuar ishin arsyet se pse është vonuar ky projekt. Projekt do të mbikëqyret me kujdes nga parlamenti në mënyrë që mos të përsëritet e kaluara, ku asnjë nuk mbante përgjegjësi.
2-Ç'mund të themi në lidhje me vonesat që kanë ndodhur në të kaluarën?
Ka një kombinim arsyesh që plekset injoranca, paaftësia, inkompetenca dhe mefshtësia. Janë shumë elementë që na bëjnë të mendojmë se s'kuptohet ku fillon njëra dhe ku mbaron tjetra. Por s'kemi pasur një parlament efikas, që të kryente kontrollin e vet ndaj qeverisë. Ndërsa ne pavarësisht se ne jemi pjesë e mazhorancës do i kërkojmë llogari qeverisë dhe do e monitojmë, pasi ky është edhe objektivi i roli parlamentit. Vlera projektit shkon në 37 milion euro dhe presim të mbarojë brenda 2 viteve. Ne do të kontrollojmë të gjitha fazat e investimit.