SHKODER - Protesta e tregtarëve të Zdralës është spostuar sot para ambjenteve të Myftinisë Shkodër pas asaj të zhvilluar rreth një muaj më parë para Bashkisë.
Në mbështetje të prostestuesve ishte edhe kryetari i BSPSH Shkodër, Albert Tuka, i cili i kërkoi përfaqësuesve të Myftinise, të marrin parasysh kërkesat e tregtareve pasi, sipas tij, këta të fundit janë taksapagues të rregullt dhe ushtrojnë aktivitetin e tyre konform të gjitha rregullave që parashikon ligji.
Ai gjithashtu bëri me dije se këtë javë pritet të vijë në Shkodër Kreu i Komunitetit Mysliman Shqiptar Skënder Bruçaj në lidhje me këtë mosmarreveshje të krijuar.
Nga ana tjetër, tregtarët i kanë bërë thirrje Myftiut të Shkodrës imam Muhamed Sytarit që të lidhë një marrëveshje të re me këta tregtarë, duke u lejuar atyre ushtrimin e aktivitetit të tyre.
Burime pranë Myftinisë së Shkodrës bëjnë me dije se ky institucion fetar është pronar me të gjitha të drejtat e pronësisë, në të gjithë sipërfaqen ku shtrihet tregu. Sipas të njëjtave burime, i është kërkuar Bashkisë që të gjendet një treg informal për të kaluar këta tregtarë.
Nga ana e tyre tregtarët e këtij tregu shprehen se nuk do pranojnë të largohen deri sa të marrin zgjidhje kërkesat e tyre.