A1 Report - Meta ne 'Diten e Naim Frasherit', "Asnje mbiemer me i respektuar"

2015-08-22 1

PERMET - Kreu i Kuvendit dhe njëherësh Kreu i LSI-së Ilir Meta ishte i pranishëm në aktivitetet e organizuara me rastin e "Ditës së Naim Frashërit" në Frashër të Përmetit.

Në fjalën e tij Meta theksoi se "asnjë mbiemër tjetër Shqipëri nuk e ka nderimin, mirënjohjen dhe respektin sa ai i mbiemrit të tre vëllezërve Frashëri."

Ai shtoi ndër të tjera se "në Frashër jemi të gjithë më shumë shqiptarë pasi gjenden pafundësi arsyesh krenarie për rrënjët e hershme."

"Mbase askund tjetër nëpër Shqipëri nuk ka kaq shumë Shqipëri të madhe, të mençur, të lartë, dinjitoze, të vjetër e të re si në Frashërin e madh të Shqipërisë. Mbase asnjë mbiemër tjetër në Shqipëri nuk ka atë nderim, mirënjohje dhe respekt si mbiemri i Naimit, Abdylit dhe Samiut, tre vëllezërve të familjes të përbashkët të të gjithë shqiptarëve. Mbase askund tjetër nuk gjendet kaq shenjtërisht sa këtu bashkëjetesa mes pushkës dhe penës, mes dijes dhe artit, mes shërbesës së përulur për flamur e atdhe dhe atdheut që meriton flamurin e motove të Kastriotit, sa Frashëri flamuri i dashurisë për atdheun. Në Frashër jemi të gjithë më shumë shqiptarë, sepse gjejmë këtu një pafundësi arsyesh krenarie për rrënjët e hershme dhe frymëzim për të nesërmen tonë shqiptare dhe Europiane", tha Meta.

Më tej kryeparlamentari shprehu vlerësimin për banorët e kësaj zone duke i cilësuar si "njerëz të urtë, të punës e të veprimit", ndërsa tha se do t'i kushtohet vëmendje kësaj zone për rritjen e punësimit.

"Por, Frashëri dhe Dangëllia janë edhe vendi i njerëzve të punës dhe të veprimit, njerëzve të urtë dhe të ndershëm. Sot Frashëri ka urgjencë dhe emergjencë për Rilindje, për rikthimin e shkëlqimit të hershëm, për të krijuar më shumë mundësi për punë dhe siguri, për të ecur më shpejt në rrugën e progresit dhe mirëqenies dhe për të vazhduar të jetë sot e mot, "Meka" e besimit tonë kombëtar. Ndaj le të takohemi çdo vit në 25 maj këtu në Frashër, jo vetëm për të kujtuar Naimin, Abdylin dhe Samiun, por njëkohësisht edhe për të bërë një bilanc se çfarë kemi bërë gjatë një viti për t'i kthyer Frashërit lavdinë e dikurshme, për t'i ndihmuar këta banorë të Frashërit që të jetojnë këtu me krenari, me dinjitet, por edhe me mundësitë që ata meritojnë, për të rritur dhe për të edukuar fëmijët e tyre", tha Meta.

Free Traffic Exchange