Bogov: Institucionet stabile të domosdoshme për ekonomi të mirë

2015-08-22 0

Guvernatori i Bankës Popullore të Maqedonisë, Dimitar Bogov,kërkon kthimin e opozitës në Kuvend. Në intervistën për radion "Evropa e Lirë", Bogov theksoi se turbulencat politike që u krijuan pas zgjedhjeve parlamentare më 27 prill, mund të ndikojnë ndaj investimeve të huaja në vend.

"Ekonomia kërkon një mjedis të qetë, kërkon kushte të qëndrueshme për punë si dhe institucione stabile që funksionojnë. Kështu që është më mirë që të gjitha betejat politike të zhvillohen brenda institucioneve, për shkak se kur nuk është kështu, investitorët e huaj nuk ndjehen aq të sigurt", tha Dimitar Bogov, guvernatori i Bankës Popullore të RM.
Megjithatë, ai menjëherë pas kësaj përgjigje, doli me një qëndrim kontradiktor. Thjesht, Bogov deklaroi se pavarësisht se opozita nuk është në parlament, çdo gjë zhvillohet normalisht në ekonominë në vend.

"Të them se tani për tani nuk ndjejmë ndonjë ndryshim, normalisht po zhvillohen rrjedhat ekonomike, investimet rrjedhin normalisht, natyrisht rrjedh normalisht edhe rritja ekonomike. Është me rëndësi që institucionet tona të funksionojnë. Edhe për investitorët e huaj, kjo është më me rëndësi, se a funksionojnë institucionet. Probleme politike ka në të gjitha vendet. Diku më të mëdha, diku më të vogla. Ata konsiderojnë se në vendin si Maqedonia, ku demokracia është e re janë të mundshme edhe tensione më të mëdha politike, por të jenë në kuadër të asaj që është e pranueshme për ta", u shpreh Dimitar Bogov, guvernatori i Bankës Popullore të RM.

Guvernatori Bogov tha se efektet e krizës në Ukrainë nuk janë aq të mëdha për shkak se ekonomia e Maqedonisë nuk është shumë e lidhur me atë të Ukrainës. Por, nga ana tjetër, nëse kriza përshkallëzohet në Ukrainë dhe reflektohet në normën e rritjes ekonomike në Bashkimin Evropian, që, është partneri jonë më i madh tregtar, atëherë kërkesa për produktet tona do të zvogëlohet, kurse gjithashtu do të kishte efekt në rritjen tonë ekonomike. Ai konsideron se kriza e Ukrainës mund të ketë ndikim në mallrat bazë sikurse që janë gruri, misri, vaji, gazi, që me siguri mund të ndikojë në inflacionin e brendshëm. Goran Temenugov