A1 Report - Fidanet e hashashit, sipas ligjit te Berishes, Aliko rrezikon burg

2015-08-22 3

TIRANE- Teksa banorët e Lazaratit kanë mbushur taracat dhe çatitë e shtëpive të tyre me fidanë hashashi, kryetari i kësaj Komune Dashnor Aliko, kryeplaku i fshatit dhe inspektorët e policisë së zonës, duket se s'kanë kryer asnjë veprim për parandalimin e mbjelljes së drogës. Megjithëse Aliko ka detyrim ligjor të drejpërdrejtë për të njoftuar Drejtorinë e Policisë së Gjirokastrës për mbjelljen e fidanëvë të drogës, një gjë të tillë nuk e ka kryer.

Për pasojë sipas ligjit me nr. 9559 të datës 8 qershor 2006 të miratuar nga parlamenti dhe qeveria "Berisha" e asaj kohe çdo kryekomunar që nuk raportonte me shkrim plantacionet e drogës, duhet të ndiqej penalisht për tre akuzat "Shpërdorim detyre", "Moskallëzim krimi" dhe "Veprimeve që pengojnë zbulimin e të vërtetës". Fill pas këtyre akuzave vinte dhe shkarkimi nga detyra e kryekomunarit, kryeplakut apo inspektorit të zonës që refuzonte të raportonte kultivimin e drogës. Por pavarësisht përmbajtjes së ligjit të miratuar nga Berisha, asnje masë nuk është marrë për kryetarin e kumunës Lazarat, që çdo vit prodhon mijëra tonë drogë.

Pyetja që shtrohet në këtë rast është a duhet të ndiqet penalisht dhe të shkarkohet Dashnor Aliko? Gazeta "Shqiptarja.com" dhe "A1 Report" solli eksluzivisht fotot e fidanëvë e mbjellë në vazo. Ndërkohë nga fotot satelitore Lazarati është një fshat i gjelbër.