KURBIN - Policia e Kurbinit vijon hetimet në lidhje me krimin e dyfishtë, i cili ndodhi dy ditë më parë në fshatin Fushë Kuqe të Kurbinit.
Burime nga grupi hetimor kanë bërë të ditur se deri më tani janë mbledhur shumë dëshmi dhe prova, por ende nuk janë zbardhur plotësisht shkaqet e vërtetë të ngjarjes.
Pista kryesore e hetimit të policisë është ajo e depresionit që mund të ketë patur 40-vjeçarja Desara Keqi, duke iu referuar edhe dëshmive të dhëna nga të afërm dhe fqinjët e familjes Keqi.
Në dëshmitë e dhëna para grupit hetimor ata kanë bërë të ditur se kohet e fundit 40-vjeçarja ishte shumë e mërzitur dhe fliste shumë pak.
Në këtë gjendje ajo kishte kaluar që prej largimit të djalit të saj 22-vjeçar që ka emigruar në Shtetet e Bashkuara të Amerikës para disa muajsh.
Duke ju referuar dëshmive të dhëna se ajo mund të ketë kaluar në depresion policia pritet që të kërkojë edhe ndihmen e psikologëve për ta vërtetuar një fakt të tillë; do të jenë këta të fundit që do të ndihmojnë grupin hetimor për të zbardhur edhe ngjarjen.
Nga hetimet e deritanishme është bërë e ditur se në momentin kur ka kryer krimin, ajo ka debatuar me vajzën, por pasi ka kaluar një gjendje depresive, duke mos patur vetëdije.
Pasi ka vrarë vajzën e saj Desarën, duket se 40-vjeçares i kishte ardhur vetëdija për atë çfarë kishte ndodhur ndaj ka qëlluar edhë veten.
Mister mbeten për grupin hetimor, arsyet e debatit mes nënës dhe së bijës, pasi u hodh poshtë variant se ajo nuk ka dashur që e bija të shkonte në eskursion. Ka qënë mësuesja e Desarës që ka deklaruar se nuk ka qenë planifikuar ndonjë eskursion për nxënësit.
Nga ana tjetër policia ka dyshime të forta se debati mund të ketë nisur nga letrat e "moltove" dhe çokollatave që janë gjetur në kasollen afër shtëpisë.
Grupi hetimor ka dyshime se nëna mund të ketë menduar se vajza e saj mund të ketë qenë më ndonjë person në kasolle por një fakt i tillë nuk është faktuar nga uniformat blu.
Prej dy ditësh, forca të shumta policie sëbashku me grupin hetimor ndodhen në zonën ku ndodhi ngjarja, duke tentuar të mbledhin prova dhe dëshmi të reja në lidhje me krimin e rëndë.
Nga ana tjetër është bërë e ditur se grupi hetimor pritet që të marrë në pyetje edhe shoqet e shkolles së Desarës, për të mësuar më tepër rreth ngjarjes së rëndë.