KUKËS-28 ish-punonjës të Brigadës së zjarrfikësve të Tunelit të Kalimashit në Kukës kanë protestuar të shtunën, pasi kundërshtojnë pushimin e tyre nga puna.
Ata thonë se shkarkimin e tyre eprorët ua kanë komunikuar nëpërmjet telefonit gjatë ditës së djeshme në orën 16:00 pa shpjeguar rreth arsyeve të shkarkimit.
Sipas tyre nëse nuk merren masa ata do të përshkallëzojnë protestat të cilat do të rifillojnë të hënën deri në një vendim për bllokimin e tunelit.
Aktualisht, në tunelin e Kalimashit, në të dyja galeritë numri i punonjësve është ulur në 22 nga 50 punonjës që ishin në total.
Sipas protestuesve me këtë numër punonjësish tuneli i Kalimashit nuk është në gjendje gatishmërie për të përballuar emergjencat në rast të një zjarri apo aksidenti brenda në tunel .
Ish zjarrfikësit thonë se specialistët e huaj vazhdimisht kanë kërkuar shtimin e numrit të punonjësve të brigadës së zjarrfikësve deri në 70. Në tunel për çdo turn ka nga 5 punonjës zjarrfikës.