A1 Report - Pastrimi i bregdetit, vijon aksioni ne veri dhe jug te vendit

2015-08-22 11

Java e dytë e aksionit "Shqipëria është e të gjithëve, ta mbajmë atë të pastër " ka mobilizuar sot në Vlorë forcat e armatosura , "Agjensinë Kombëtare të Bregdetit" dhe ndërmarrjen e shërbimeve publike të Bashkisë së Vlorës , Himarës e Orikumit . Rreth 1300 forca ushtarake kanë zbritur në bregdetin e jugut nga Plazhi i Zvërnecit , deri në gjirin e Ksamilit në Sarandë.

Vlorë, forcat e armatosura mobilizohen për të pastruar bregdetin

Aksioni është përqëndruar përgjatë gjithë vijës bregdetare, kryesisht në plazhet më të ndotura , ku forcat e ushtrisë kanë pastruar jo vetëm mbetjet urbane por edhe ato inertet të mbetura si pasojë e prishjes së ndërtimeve pa leje. Fillimisht aksioni ka nisur në plazhin e Zvërnecit, në bregdetin ranor, në plazhin e vjetër dhe më pas në Radhimë, Orikum, Palasë, Himarë, Qeparo, Borsh dhe në Gjirin e Kakomesë deri në Ksamil.

Ndërkohë aksioni do të përfshijë edhe Pyllin e Sodës, një prej zonave më të ndotura të qytetit bregdetar. Aksioni i pastrimit të bregdetit është inspektuar nga shefi i shtabit të përgjithshëm të Forcave të Armatosura gjeneralmajor Jeronim Bazo. Mbetjet e grumbulluara do të depozitohen në jalli të Nartës, në zonën që Bashkia ka caktuar si vendgrumbullim

Sarandë, vijon pastrimi në port dhe në vijën bregdetare

Gjithashtu aksion pastrimi ka patur edhe në portin e Sarandës dhe përgjatë gjithë vijës bregdetare. Drejtori i Agjencisë Kombëtare të Bregdetit, Auron Tare, u shpreh nga Butrinti se ky aksion synon pastrimin e zonave bregdetare në vend dhe do të vijojë përgjatë gjithë sezonit veror. Ne Lagunën e Butrintit, përgjatë vijës ku derdhet në liqen kanali i Vivarit, Tare konstaton se përveç ndotjes së mjedisit zona nuk është zhvilluar të zonës përveç ndotjes së mjedisit.

300 efektivë në Ksamil për largimin e inerteve

Sakaq rreth 300 efektivë janë përqëndruar në ishullin e Ksamilit, për largimin e inerteve të mbetura pas shembjes së ndërtimeve pa leje. Ndërkohë në muajin qershor pritet të vendosen 11 fushëpushime të forcave të armatosura përgjatë bregdetit me qëllim që aksioni të vazhdojë pa ndërprerje.

Shkodër, mobilizohen zjarrfikësit për pastrimin e Shirokës

Ndërkohë 150 forca të ushtrisë të zjarrfikësve dhe 9 mjete ushtarake kanë pastruar nga mbetjet edhe zonën turistike të liqenit të Shirokës në Shkodër.
Nga ana tjetër edhe në bregdetin e Shëngjinit është zhvilluar një aksion pastrimi për mbetjet urbane. Aksioni është zhvilluar nga vullnetarë të lëvizjes Green line Albania të cilët kanë pastruar të gjithë vijën bregdetare deri ne Kune.