Partia Demokratike Shqiptare dega në Strugë do të ketë dy kryesi paralele, atë të zgjedhur nga Menduh Thaçi dy javë më parë dhe tjetrën që pritet të konstituohet sonte nga kryetari i komunës Ziadin Sela dhe strukturat e deritanishme të kësaj dege të shkarkuar nga kryesia qendrore pas moratoriumit të shpallur përpara zgjedhjeve parlamentare.
Ky vendim çoi në shkarkimin e tyre dhe të anëtarit të kryesisë qendrore, Ziadin Sela nga kuvendi qendror i partisë. Por një vendim i tillë është refuzuar nga strukturat partiake të Strugës të cilat kishin kërkuar dorëheqjen e kreut të partisë Menduh Thaçi për shkak të humbjes në zgjedhjet parlamentare. Në një prononcim për televizionin Alsat, Ziadin Sela degën e konstituar nga Menduh Thaçi e quajti strukturë paralele dhe jolegjitime, pasi nuk është zgjedhur nga kuvendi i degës partiake.
Sela gjithashtu paralajmëroi hapa konkret për reformimin e PDSH-së , si domosdoshmëri që kjo parti të mund të dal si opsion fitues. Në kuvendin që do të zhvillohet sonte do të marrin pjesë të gjithë kuvendarët dhe nëndegët të zgjedhura në formë legjitime. Përplasjet midis Ziadin Selës dhe Menduh Thaçit,erdhën për shkak të mospajtimeve për listën zgjedhore në njësinë numër 5,pasi dega e Strugës,e kontestonte kandidaturën e Zija Jonuzit, të caktuar nga Menduh Thaçi. Durim Etemi