Osmani: Emrat e ministrave të BDI-së, pas kongresit të partisë

2015-08-22 1

Emrat e kuadrove të cilët do të udhëheqin me ministritë të cilat do ti takojnë Bashkimit Demokratik për Integrim do të dihen pas kongresit të 5 qershorit. Këtë e konfirmoi zëdhënësi i BDI-së Bujar Osmani. Sipas tij, gjatë bisedimeve është hapur edhe çështja e dikastereve dhe emrave konkret të cilët do të udhëheqin me ato dikastere.

"Natyrisht se kanë filluar edhe bisedimet për ndarjen e resoreve, po kryesisht energjia është e koncentruar për momentin në harmonizimin e platformës dhe definimin e projekteve të cilat do të jenë prioritet i qeverisë mandatin e ardhshëm. Sa i takon çështjes të zgjedhjeve personale të kuadrove, të cilët do të udhëheqin institucionet që do të definohen si pjesë e BDI-së në qeveri, ajo do mbetet pas kongresit më 5 qershor", tha Bujar Osmani, zëdhënës i BDI-së.

Megjithatë sipas Osmanit prioritet në bisedimet për formimin qeverisë së re mes BDI-së dhe VMRO-DPMNE-së mbetet harmonizimi i platformave.

"Pjesa më e rëndësishme e negociatave është harmonizimi i platformës pasi që numri i projekteve që bëhen pjesë e programit të qeverisë e përcakton se sa është fuqia e një partie politike në qeveri. Bisedimet zhvillohen në një atmosferë të mirë, projektet natyrisht se duhet të inkorporohen në buxhetin e përcaktuar për mandatin e ardhshëm. Projektet tona janë të argumentuara mirë si në aspekt të nevojës, si në aspekt të kornizës financiare dhe natyrisht tani po definohet çdo detaj, pasi që ai projekt i cili do futet në program qeverie, ai do duhet domosdo të realizohet", u shpreh Bujar Osmani, zëdhënës i BDI-së.

Në fillim të kësaj jave kryetari i VMRO-DPMNE-së, Nikolla Gruevski mori mandatin për formimin e qeverisë. Në bazë të kushtetutës ai ka 20 ditë afat për t'ia propozuar programin dhe përbërjen qeveritare Kuvendit të Republikës së Maqedonisë. Bedri Rexhallari