TIRANE- Ekspertët e kompanisë "StrawberryFrog" e cila u përzgjodh fituese për realizimin e logos për promovimin e turizmit shqiptar në botë për 2014, do të bashkëpunojnë me ekspertë shqiptarë të Ministrisë së Turizmit. Në një konferencë për shtyp, Drejtori i Komunikimit në Kryeministri, Endri Fuga?, tha se me këtë bashkëpunim synohet të realizohet një koncept imazhi sa më profesional, sa më efikas, për realitetin e Shqipërisë, por dhe mënyrën sesi vendi ynë shihet nga të huajt. Fuga ftoi qytetarët që të komentojnë në faqen e internetit newalbania.tumblr.com lidhur me këtë fushatë promovuese, si dhe të japin idetë e tyre. "Javën e kaluar përfundoi konkursi ndërkombëtar për imazhin e ri të Shqipërisë, ku juria ndërkombëtare përzgjodhi si firmë fituese kompaninë "StrawberryFrog". Kompani, e cila ka një eksperiencë të gjerë në fushën e promovimit, qoftë në fushën e turizmit, ashtu edhe në fushën e investimeve të huaja. Por duke qenë se më shumë se një fushatë imazhi do të kemi të bëjmë me një lëvizje e cila synon të promovojë vendin tonë dhe duke qenë se bëhet fjalë, në fund të fundit për promovimin e Shqipërisë, Qeveria shqiptare dhe kompania fituese, "StrawberryFrog", dëshirojnë të ftojnë secilin prej jush të vizitoni faqen e internetit neëalbania.tumblr.com, ku jo vetëm mund të shikoni disa nga konceptet e zhvilluara deri më sot, por edhe të komentoni dhe të sugjeroni, duke dhënë mendime, ide të reja, për këtë nismë kaq të rëndësishme për të ardhmen e Shqipërisë", tha Fuga.