Takimi i djeshëm i Sekretarit të Përgjithshëm të NATO-s Anders Fog Rasmusen me liderin e BDI-së Ali Ahmeti mund të jetë hapi i parë drejt rritjes së presionit të brendshëm ndaj VMRO-së dhe kryeministrit Nikolla Gruevski, për zhbllokimin e proceseve euro-integruese. Për ish diplomatin Risto Nikovski, takimi i Rasmunsenit me Ahmetin dhe deklaratat lidhur me çështjen e emrit, mund të kuptohen madje edhe si provokim ndaj Maqedonisë.
'Takimi me Ali Ahmetin është jashtë kontekstit të një vizite të tillë, sepse nëse do të ishte e balancuar, do të duhej të takohej edhe me Zaevin. Kjo mund të interpretohet vetëm si presion i ri ndaj Maqedonisë, sepse dihen qëndrimet e Ali Ahmetit dhe BDI-së. Ata dëshirojnë ndryshimin e emrit të Maqedonisë dhe përshpejtim të anëtarësimit në NATO', deklaroi Risto Nikovski, analist.
Nga ana tjetër analisti Ismet Ramadani vlerëson se presioni i brendshëm i faktorit ndërkombëtar përmes BDI-së do të vazhdojë të rritet, me afrimin e shtatorit. Por për të arritur rezultat, sipas Ramadanit, BDI-ja duhet të jetë më këmbëngulëse.
'Presioni i brendshëm drejt VMRO DPMNE-së dhe Gruevskit, më së miri do të rritet me një qasje më të vendosur të BDI-së, respektivisht liderit të BDI-së. Nëse kjo ndodh, dhe me siguri do të ndodh sepse edhe deklaratat e liderit të BDI-së shkojnë në atë drejtim, atëherë shansi qëndron aty', tha Ismet Ramadani, Këshilli Atlantik.
Nga ana tjetër ish ambasadori i Maqedonisë në NATO Nano Ruzhin i vlerëson si të pritshme deklaratat e Sekretarit Rasmusen se nuk ka anëtarësim pa zgjidhur çështjen e emrit. Por sipas tij, një shpresë e vogël për Maqedoninë është ndonjë iniciativë në moment të fundit veçanërisht e SHBA-ve, për anëtarësimin e Maqedonisë nën referencën FYROM.
'Ajo që mund të shpresojmë është se në Samitin e Kardifit mund të hapet ndonjë diskutim, shkëmbim mendimesh, ndërtim qëndrimesh ku shtete të caktuara si SHBA-ja dhe aleatët e tyre evropian mund të nxisin diskutim për zgjerimin e aleancës dhe kyçjen e Maqedonisë nën referencën', u shpreh Nano Ruzhin, ish ambasador i Maqedonisë në NATO.
Edhe pse vet Rasmunsen dje shoi të gjitha shpresat e liderëve se vendi mund të anëtarësohet në NATO pa u zgjidhur çështja e emrit, ekspertët mendojnë se Maqedonia mund të përfitojë nga momenti gjeopolitik, dhe të shfrytëzojë vullnetin e NATO-s për marrjen në gjirin e saj shtetet me probleme multietnike, pas ngjarjeve në Ukrainë. Benjamin Arifi